Nata e kaluar në veri ka qenë e qetë, por nën tensione. Në barrikadën në
Jegenicë, ushtarët e KFOR-it dhe banorët serbë kanë qëndruar përballë
njëri-tjetrit.

KFOR-i ka arritur që rreth orës 1.00 të mëngjesit të së premtes të vendosë nën kontroll gjithë rrugën e Adriatikut, duke përfshirë këtu edhe fshatit Zupç.

Kurse në Bërnjak forcat e KFOR-it kanë marrë vendkalimin dhe kanë zgjeruar zonën e kontrollit.

Nëpër këto pjesë vërehen forca të shtuara të ushtarëve të KFOR-it, ndërkohë që gjithçka që kalon në këtë drejtim i nënshtrohet një kontrolli të rreptë të tyre.

Operacioni i KFOR-it ka nisur që të enjten në mengjes, duke larguar fillimisht barrikadat në Bërnjak, duke vendosur kontrollin e tij.

Pak minuta më vonë, në Cabër filluan të mbërrijnë edhe kolonat e para të KFOR-it. Janë mbi 300 automjete të ndryshe, ndërsa betoni mbi urën në hyrje të Zupces është hequr pa problem dhe tani rruga është e hapur.

KFOR-i ka arritur 3 km përtej rrugës se fshatit Cabër duke iu afruar barrikadës së madhe. Këtu raportohet se KFOR ka vendosur edhe tela me gjemba.

Gjatë ndërhyrjes në Jagjenicë, KFOR-i është sulmuar me gurë nga turmat e serbëve cfarë ka sjellë edhe 8 të lënduar në radhet e forcës shumëkombëshe.

Gazetarja e Top Channel Arta Berisha raportoi se mbi fshatin Cabër në kodrën më të lartë, në vijë ajrore rreth 800 metra nga barrikada e Zupces dhe Jagonicës është vendosur KFOR-i gjerman dhe austriak dhe se shihen përgatitje për ndërtimin e një kampi afatgjatë.

Drews: Ose me paqe, ose me forcë

Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews paralajmëroi serbët se, nëse nuk heqin barrikadat në veri, ushtarët e misionit do të përdorin forcën.

Drews theksoi se dëshiron që barrikadat të largohen në mënyrë paqësore, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë trupat e NATO-s do të reagojnë.

“Misioni i NATO-s në Kosovë do të jetë i detyruar ta zbatojë mandatin e tij për të rivendosur lirinë e lëvizjes në atë pjesë të Kosovës të kontrolluar nga serbët”, deklaroi Drews.

KFOR nisi operacionin e tij në veri ditën e enjte pas shumë tentativash për të arritur një zgjidhje të negociuar me përfaqësuesit e komunitetit serb.

Top Channel