“Marrëdhënia ime me Del Pieron nuk do të ndryshojë aspak. Kam folur me të gjatë këtyre ditëve dhe e kam siguruar që gjithçka vazhdon si më parë.”
Për trajnerin e Juventusit, Antonio Conte, asgjë nuk ka ndryshuar pas deklaratave të presidentit bardhezi, Andrea Agnelli, i cili lajmëroi fundin e aventurës juventine të kapitenit Alessandro Del Piero.
“Del Piero e di shumë mirë se minutat që i jap në fushë varen nga rendimenti e forma e tij në stërvitje dhe jo nga çështje të tjera jashtë futbollit. Juventusi është mbi të gjithë dhe interesi i klubit vjen para interesit personal”, theksoi Conte.
Juventus do të luajë mbrëmjen e së shtunës ndeshjen e radhës në kampionatin italian të futbollit ndaj Genoas, në Torino.
Të martën, presidenti Andrea Agnelli deklaroi se ky sezon do të jetë i fundit i Alessandro Del Pieros me fanellën e Juventusit.
“Një duartrokitje të fortë për kapitenin Del Piero, i cili qëndroi me ne edhe për një vit tjetër, viti i fundit i tij me Juventusin”, tha Agnelli në një fjalim para aksionerëve të klubit bardhezi.
Top Channel