Është promovuar pas vdekjes në Bern të Zvicrës libri “Jetëshkrim”, roman autobiografik i shkrimtarit të njohur shqiptar Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë në Tiranë.
Në librin e botuar në dhjetor të vitit të kaluar, shkrimtari Krasniqi, i cilësuar ndryshe si Balzaku shqiptar, tregon peripecitë e jetës së tij dhe tregon gjithashtu se lufta më e mirë ndaj të padrejtës ishte pena.
Në këtë mbrëmje përkujtimore ishin të pranishëm publicistë të shumtë nga diaspora si dhe ambasadorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Në fjalën e tij ambasadori shqiptar Mehmet Elezi deklaroi se Sulejman Krasniqi mund të quhet shkrimtari i vetëm shqiptar që solli epikën në romanet e tij.
Ndërkohë ambasadori i Maqedonisë, Ramadan Nazifi, foli për rëndësinë e veprave te Krasniqit në formimin e idealit kombëtar te të rinjtë në të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë mbrëmje u lexua letra përshëndetëse e simbolit të rezistencës kosovare, Adem Demaçi, si dhe e deputetit kosovar Hydajet Hyseni.
Top Channel