
Muammar Gaddafi ka vdekur. Lideri i Libisë ka ndërruar jetë pas një
sulmi në Sirte. Fillimisht u raportua nga mediat ndërkombëtare se
koloneli ishte plagosur në këmbë, por më tej u njoftua se Gaddafi
ndërroi jetë ndërsa po transportohej me ambulancë.
Në Spitalin e Misurata-s, ish-dikatori mbërriti i vdekur. Koloneli u kap ndërsa po tentonte që të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte. Por një sulm i NATO-s i mbështetur edhe nga rebelët, plagosi Geddafi-n.
“Ai është kapur. Ai është i plagosur në kokë dhe në të dyja këmbët dhe është marrë nga një ambulancë”, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” anëtari i KKT-së, Abdel Majid.
Sipas këtij burimi, pati një shkëmbim të ashpër zjarri mes rebelëve dhe grupit mbrojtës të kolonelit para se ky të kapej, në vendlindjen e tij, Sirte.
Ndërsa një ushtar që thotë se e kapi personalisht liderin e rrëzuar ka deklaruar për BBC se në momentin e arrestimit Gaddafi bërtiti: “Mos qëlloni”.
Gaddafi, i cili ka qeverisur Libinë prej vitit 1969, u rrëzua nga pushteti pas protestave që nisën në vend në muajin shkurt.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kërkoi arrestimin e tij, nën akuzën për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj popullsisë libiane.
Top Channel