Ushtarët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit në Libi kanë marrë nën
kontroll të plotë Sirten, qyteti i fundit ku besnikët e kolonelit
Muammar Gaddafi ishin mbledhur.
Lajmin e kanë bërë të ditur dëshmitarë dhe gazetarë të mediave ndërkombëtare, të cilët kanë deklaruar se ofensiva finale zgjati rreth 90 minuta, deri në mëngjesin e së enjtes.
Trupat qeveritare u angazhuan në një betejë të ashpër për Sirten, vendlindja e Gaddafi-t, për disa javë rresht.
Problemi më i vështirë për trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit ka qenë ai i snajperëve të vendosur në qendër të Sirtes.
Por të enjten në mëngjes, kreu i operacioneve qeveritare deklaroi për agjencinë e lajmeve “Reuters” se: “Sirte është cliruar”.
“Nuk ka më trupa të Gaddafi-t. Aktualisht ne po ndjekim luftëtarët e tij që po përpiqen të arratisen”, ka deklaruar koloneli Yunus al Abdali.
Muammar Gaddafi, që ka qeverisur Libinë për 42 vjet, u rrëzua nga pushteti në muajin gusht kur trupat rebele morën kontrollin e Tripolit. Vendndodhja e tij mbetet mister, ndërkohë që disa anëtarë të familjes së tij janë larguar nga vendi.
Të paktën 16 luftëtarë të tij janë kapur dhe disa kamionë të mbushur me armë e municione janë bllokuar, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ndërkohë, disa nga besnikët e liderit të rrëzuar janë ende duke bërë rezistencë në qytetin Bani Ualid, në jug-lindje të Tripolit.
Top Channel