Shalit bën shëtitjen e parë në fshatin e tij

19/10/2011 17:10

Ushtari izraelit Gilad Shalit ka bërë të mërkurën shëtitjen e parë prej rreth 15 minutash, në fshatin ku jeton, Micpe Hila.

I shoqëruar nga e ëma, Aviva, Shalit ka përshëndetur dhe përqafuar fqinjët që vrapuan drejt tij për ta takuar.

Ndërkohë, agjentë të policisë janë kujdesur për të mbajtur larg gazetarët, të cilët janë bërë shumë të bezdisshëm për 25-vjecarin.

Rreshteri u kthye në shtëpi ditën e martë pas pesë vitesh burgim, në kuadër të marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve mes Izraelit dhe Palestinës.

Ai u dërgua nga militantët palestinezë nga Gaza në Egjipt dhe më pas në një bazë ajrore të Izraelit, ku u bashkua sërish me familjen e tij.

Ndërkohë, 477 palestinezët e liruar të martën mbërritën po këtë ditë në Gaza, ku u pritën nga një turmë e ngazëllyer.

550 të burgosur të tjerë do të lirohen muajin e ardhshëm, si pjesë e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Egjiptit.

Në intervistën e tij të parë, për një televizion egjiptian, Shalit tha se e kishte marrë malli për familjen dhe miqtë e tij.

Pak i dobët dhe i zbehtë, rreshteri u shpreh se, shpresonte që shkëmbimi i të burgosurve të ndikojë në vendosjen e paqes mes Izraelit dhe Palestinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA