Omari: Imuniteti, të ndryshojë Kushtetuta

19/10/2011 00:00

Në tryezën për reformimin e sistemeve të imuniteteve një ditë më parë,
socialistët nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj, u shprehën pro heqjes së
mandatit të deputetëve, veprim që sipas tyre duhet ndërmarrë me
ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërsa demokratët, nëpërmjet kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmaili dhe ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi u shprehën kundër ndryshimeve kushtetuese, por të hiqet me një vendim të posatshëm të parlamentit, pa e prekur kushtetutën.

Konstitucionalisti Luan Omari, ish-anëtar i Komisionit të Venecias, komision që ka dhënë një opinion për imunitetet thotë se kjo cështje merr zgjidhje njëherë e përgjithmonë vetëm me ndryshime kushtetuese.

“Ka disa vende ku egziston imuniteti parlamentar ne Kushtetutë, por ka vende si Italia dhe Franca që e kanë hequr me ndryshimet kushtetuese. Komisioni i Venecias ka dhenë nje opinion,në të cilin thuhet se do të ishte mirë që të bëheshin ndryshime në Kushtetutë. Unë personalisht e kam thënë edhe në mbledhjen e Komisionit të Venecias mendimin tim. Këtë mendim nuk ekam tani se e kërkon Partia Socialiste, por e kam formuluar kur është dashur, apo më është kërkuar një mendim. Nëse dy partitë e mëdha arrijnë një marrëveshja që të hiqet imuniteti,këto dy parti i kanë votat për të bërë ndryshim në Kushtetutë”, tha Omari.

Zoti Omari i ka përshëndetur deklarimet për lënien e imunitetit në mënyrë vullnetare sic ndodhi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partise Demokratike, më 14 shkurt te ketij viti. Po a ka vlerë juridike një veprim i tillë?

“Ky veprim tregon se ka një dëshirë të mirë, por kjo nuk ka asnjë vlerë juridike. Imuniteti nuk është cështje personale e një deputeti, por një parim shtetëror, parim politik, juridik që është fiksuar në Kushtetutë për deputetët. Vetëm kuvendi mund ta heqë këtë, ndaj edhe prokuroria nuk mund të veprojë”, tha Omari.

Propozimet e EURALIUS përfshijnë heqjen e imunitetit edhe për gjytarët, por komuniteti gjykatësve është shprehur se ky veprim është i parakohshëm.

“Imuniteti duhet të hequr për deputetët dhe ministrat, por kjo nuk do të thotë se gjyqtarët duhet të jenë të privilegjuar dhe të kenë imunitet. Aq më tepër në Shqipëri është përfolur shumë korrupsioni në pushtetin gjyqësor. Do të ishte jo e drejtë që të përjashtoheshin gjyqtarët nga heqja e imunitetit, por duhet të shiheshin disa modalitete, disa hollësira”, theksoi Omari.

Për juristin Omari heqja e imunitetit është një hap i nevojshëm, por ai është skeptik se edhe kur deputetët, gjykatësit apo ministrat do të zhvishen nga imuniteti beteja e luftës kundra korrupsionit nuk do të jetë më e lehtë apo e fituar nga organi akuzës.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta