Integrimi drejt BE, Shqipëria shënon një tjetër moment historik, të hënën çelet grupkapitulli i fundit i negociatave
Andrea Stefani – Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, duket sikur i ka vënë detyrë
vetes të na tregojë se sa pak e njeh Shqipërinë, shqiptarët dhe për më
tepër, gjithçka që po ndodh këto kohë në Shqipëri.
Kështu ndodhi edhe së fundi, me përfshirjen e tij në debatin, aspak etik, të shpërthyer mes Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe folëses së Kuvendit, Jozefina Topalli. Nuk do të përbënte aspak problem sikur të kishim të bënim me një diplomat të zakonshëm. Por Sequi është ambasador i Bashkimit Europian në Tiranë dhe nga ato që ai thotë e bën, përcaktohet jo pak nga shtegu që do të ndjekë Shqipëria në të ardhmen e afërt. Kjo na shtyn të kritikojmë disa deklarata të tij aspak të thelluara dhe prandaj edhe jo realiste.
* * *
I pyetur se si i komentonte replikat e fundit mes Presidentit Topi dhe folëses Topalli, media raportoi këtë përgjigje të zotit Sequi: “Një nga motot e BE-së është të jemi të bashkuar në diversitetin tonë. Të ndryshëm, por të bashkuar. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi gjuhë të ndryshme, por e kuptojmë njëri-tjetrin. Në rast se ju më pyesni se cila është gjuha ime e preferuar, unë ju them se është gjuha e bashkimit. Unë e di se në BE bashkëpunojnë, pavarësisht diversitetit”. Në pamje të parë duket sikur gjithçka në këtë përgjigje është korrekte. Por ajo vuan nga cektësia, nga moskuptim i asaj që ndodh përreth. Sepse thelbi i përplasjes Topi-Topalli nuk është dallimi gjuhësor gegë dhe toskë, por konflikti i radhës mes pushtetit autokratik dhe viktimës së radhës që është Presidenti. S’dihet sepse një diplomati si Sequi nuk i leverdis ta shohë një të vërtetë të tillë. Por është fakti se ai refuzon ta shohë këtë të vërtetë, të parehatshme për të.
* * *
Ndërkaq e vërteta mbetet evidente. Edhe në të kaluarën e 20 viteve tranzicion. Mjafton të përpiqet të qëmtojë se me cilin president apo kryeministër ka shkuar mirë dhe pa sherr Sali Berisha dhe oborri i shërbëtorëve të tij. Me asnjë. As me Ylli Bufin, Aleksandër Meksin, as me Fatos Nanon, as me Ilir Metën, as me Pandeli Majkon, as me Rexhep Meidanin, as me Alfred Moisiun, as me Bamir Topin. Rastësisht? Po me kryeprokurorët? As me Maks Haxhinë, as me Arben Rakipin dhe as me Ina Ramën. Përsëri rastësisht? Ka vetëm ca pak përjashtime. Sali Berisha ka shkuar mirë dhe në harmoni të plotë vetëm me Sali Berishën kur ishte President dhe po me Sali Berishën Kryeministër, sot. Edhe me ndonjë kryeprokuror që është vënë në shërbim të tij për të burgosur kundërshtarin politik apo mediatik. Me të gjithë të tjerët, sharje, fyerje, shantazhime, kërcënime sa herë që ata guxonin të flisnin jo me gjuhën e Berishës. Dhe nuk është fjala fare për dialekte, për toskërisht apo gegërisht. Është fjala nëse flet gjuhën e autokratizmit të Berishës apo nëse e kundërshton atë.
* * *
Edhe përplasja me Presidentin Topi është rrjedhojë e zemërimit të Berishës për mosbindjen e tij. Prandaj e akuzuan si armik të shtetit dje dhe e akuzojnë si armik të gegëve sot. Me të njëjtat metoda të pështira dhe vulgare të linçimit “popullor”, aq të praktikuara nën diktaturë nga Partia Komuniste e Punës. Nuk është nevoja t’i kujtojmë zotit Sequi akuzat monstruoze për “horr bulevardi” apo për “puçist” që Berisha i drejtoi Topit. Sequi heshti dje për këtë monstër gojëtarie, por të paktën t’u thotë shqiptarëve sot nëse do të ishte i mundur bashkimi, qoftë edhe në BE, me dikë që do të fliste një gjuhë të tillë? Me këtë nuk duam të themi se opozita politike ka bërë plotësisht të vetën gjuhën e demokracisë liberale. Pak vite më parë, ishte kjo opozitë që u bashkua me Berishën në një ndryshim autokratik të Kushtetutës. Dhe me këtë akt idiotesk, i dha mundësi Berishës që sot, ndërsa mbron një pushtet autokratik, të flasë për “respektim të Kushtetutës”. Megjithatë nuk mund të mos shohim se, të paktën në këto momente, përballja me autokratizmin berishist e ka shtyrë opozitën në një pozicion liberalo-kushtetues. Ndërsa Berisha kërkon të fusë në dorë institucione, opozita përpiqet që kjo të mos ndodhë, ndërsa ai kërkon të obstruktojë hetimet duke shantazhuar prokurorinë, opozita bën të kundërtën. Sot gjuha e opozitës nuk është gjuha e autokratizmit berishist. Prandaj, edhe palët nuk merren vesh me njëra-tjetrën. Por Sequi, sikur të jetë jo në Shqipëri, por në BE, u thotë: dialogoni! Një verbëri dashamirëse?
* * *
Është çudi, por Sequi nuk e dikërka që në Shqipëri ka një përplasje për sistemin (autokratizëm apo demokraci-liberale?) dhe prandaj sugjeron modelin e BE-së, ku, sipas tij, fliten gjuhë të ndryshme e megjithatë palët merren vesh dhe janë të bashkuar. Por edhe në këtë pohim na duket se ambasadori gabon. Përsëri i mashtruar nga linguistika. Sepse në BE, kur është fjala për sistemin, flitet me një gjuhë, me gjuhën e liberalizmit kushtetues, të parimeve të ndarjes, kufizimit dhe baraspeshimit të pushteteve, me gjuhën e gjyqësorit të pavarur, me gjuhën e shtetit ligjor, të të drejtave dhe lirive të njerëzve. Kjo gjuhë e përbashkët politike, kjo frymë, është shkaku se përse francezë, italianë, gjermanë apo spanjollë merren vesh fare bukur me njëri-–tjetrin, edhe pse flasin gjuhë të ndryshme. Po në Shqipëri, përse prej 20 vjetësh shqiptarët nuk po merren vesh, edhe pse në pikëpamje gjuhësore flasin të njëjtën gjuhë të kuptueshme për ta, pavarësisht dialekteve? Sepse mungon gjuha e përbashkët politike. Ambasadori nuk e dikërka? Po ja themi: në Shqipëri ka forca politike që kanë treguar me fakte, se nuk janë për pavarësinë e institucioneve që lakmojnë t’i kapin, që janë kundër pavarësisë së gjyqësorit që e kanë kapur, që janë kundër pavarësisë së prokurorisë që e kërcënojnë, shajnë fyejnë dhe akuzojnë, që janë kundër pavarësisë së institucionit të Presidentit dhe që kur ai, e manifeston një pavarësi të tillë edhe për një ligj si ai i importit të plehrave, e akuzojnë si armik të gjysmës së Shqipërisë. Këto forca autokratike që nuk duan liri të drejtësisë, pra forca, në thelb, antieuropiane, janë në pushtet. Me to në pushtet, ardhmëria europiane e Shqipërisë mbetet e dyshimtë. Ato po e sabotojnë integrimin duke sabotuar zgjedhjet dhe institucionet e lirisë dhe drejtësisë. Dhe nuk është fare punë dialogu me to, sikundër përflet cektësisht dhe pa u lodhur Sequi. Është çështja sesi demokracia të mposhtë autokratizmin, të vetmen pengesë të Shqipërisë për integrim në BE.
Top Channel