Suksesi ndërkombëtar i radhës i filmit Maya është arritur në International Filmmaker Festival of World Cinema, që zhvillohet në Britaninë e Madhe.
Regjisori Pluton Vasi është nderuar me çmimin e regjisorit më të mirë, një ndër dy çmimet e mëdha të festivalit ku Maya ishte i kandiduar edhe në kategoritë për aktoren joprotagoniste më të mirë, make up dhe filmin më të mirë të huaj.
“Dihet se vlera e një vepre është universale, por në pikëpamjen personale është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua. Do ishte gënjeshtër të bëja modestin tani”, shprehet regjisori Pluton Vasi.
Nga kritika britanike “Maya” është vlerësuar si një film “ndryshe” në morinë e filmave ndërkombëtarë me qasje të reja mbi mënyrën njerëzore të të sjellurit, të lidhur me zilinë dhe thashethemet.
Komente këto të bazuara në linjën kryesore të filmit që trajton historinë e një gruaje të pakënaqur nga ambjenti mbytës dhe plot gojë të liga ku jeton.
“Me shpirt e me zemër ia uroj çdo kineasti shqiptar që të marrë një sadisfaksion të tillë në karrierën e tij”, shtoi Vasi.
Top Channel