CEZ: Gjobë dhe burg për 328 konsumatorë

17/10/2011 08:00

CEZ nuk ka ndërmend të tolerojë. Përballë detyrimeve për të rritur arkëtimet dhe ulur humbjet në rrjet, kompania çeke është e vendosur ta çojë deri në fund ‘luftën’ ndaj konsumatorëve që nuk paguajnë faturën e dritave.

Aksionet kanë nisur me kohë, ku të ndara me grupe dhe sipas grafikut, ‘forcat speciale’ të kontraktuara nga CEZ zbarkojnë në zona të shënuara në hartë me ngjyrë të kuqe si zona problematike. Rezultatet paraprake tregojnë se shumë individë kanë përfunduar në dyert e gjykatave të paditur nga CEZ, dhe plot të tjerë janë detyruar të paguajnë gjobën, madje të burgosen.

Gazeta “Shqip” ka mundur të sigurojë të dhënat zyrtare nga kompania e shpërndarjes së energjisë, ku vërehet re numri i madh i rasteve të gjykuar dhe dënuar nga drejtësia për shkak se kanë vjedhur energjinë elektrike, duke mos e paguar atë, apo duke u furnizuar nga linja të tjera të paligjshme.

“Departamenti i Arkëtimeve dhe ai Ligjor janë duke përgatitur rreth 1500 dosje të klientëve debitorë, të cilat do të paraqiten në gjykatë”, bën të ditur zyrtarisht kompania, e cila duket e vendosur ta çojë deri në fund misionin për uljen e borxhit. Numri i madh i dosjeve ndodhet në fazën finale për t’u dërguar në gjykatë, ku gati 400 prej tyre janë tashmë të kopsitura. “Dosjet u përkasin kryesisht klientëve individë, por edhe klientë biznese të cilët rezultojnë me vlera shumë të larta debie. Kjo është masa finale që kompania ndërmerr pasi ka ezauruar të gjitha etapat e njoftimeve dhe paralajmërimeve për shlyerje detyrimesh”, thotë për gazetën kompania. Shifrat rreth borxhit të akumuluar nga mospagesa e faturave të energjisë llogaritet në miliarda lekë, ku pjesë të konsiderueshme zë edhe vetë shteti.

Sakaq, skuadrat e NTL (humbjeve jo-teknike) kanë paraqitur në prokurori 1313 raste. Nga këto, 200 raste janë për vjedhje ose ndërhyrje në matës, kurse 1113 për rilidhje të paligjshme. CEZ thotë se klientit i bëhen të njohura pasojat në rast se nuk paguan faturën, ose në rast se e përsërit, sikurse i jepet mundësi që detyrimin ta shlyejë me këste.

“Nuk është qëllimi ynë të ndëshkojmë konsumatorët, por disiplinimin, pasi energjia është një mall që duhet paguar”, thekson kompania. Megjithatë, CEZ e kishte të pamundur dërgimin në gjykatë të klientëve problematikë, të cilët janë ndëshkuar për veprat e tyre. Mësohet, se gjykata ka dhënë vendim të formës së prerë (burg ose gjobë) për 328 raste, sikurse janë në shqyrtime e sipër 200 raste. Të dhënat tregojnë se jo të gjitha rastet kanë përfunduar me dënim, ku rreth 50 dosje janë pushuar. Aktualisht, prokuroria ka marrë në shqyrtim 800 raste të vjedhjes së energjisë dhe dëmtimit të pronës, nga ku pritet plotësimi i dosjes për dërgimin në gjykatë.

Një tjetër aksion i CEZ është i shtrirë te Përmbarimi, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Bëhet fjalë për 240 vendime, për të cilat CEZ ka kërkuar ndihmën e përmbaruesve privatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA