Një raport i fundit i Bankës Botërore që analizon kaosin e legalizimeve
në Shqipëri, tregon me detaje hallkat ku procesi ka ngecur. Sipas ketij
raporti, në Shqipëri janë bërë në total mbi 270 mijë kërkesa për
legalizimin e objekteve informale.
Por nga këto janë verifikuar në terren nga institucionet përkatëse të shtetit më pak se gjysma e tyre ose vetëm 113 mijë. Faza e dytë ku procesi ngec është tek hallka e ndërmjetme, më saktësisht ajo që parashikon dërgimin e dokumenteve nga ALUIZNI dhe institucionet e tjera tek qeveria për vendim final.
Deri në qershor të këtij viti në qeveri janë cuar sipas Bankës Boterore, 54 mijë dosje legalizimi dhe nga këto kanë mundur të marrin vendimin final dhe kalojnë të gjithë procesin vetëm 4504 objekte. Pra 1.6 për qind e të gjitha kërkesave.Qeveria po harxhon kohe dhe para pa fund nderkohë që procesi ngec dhe nuk ecën përpara.
Banka vëren se kjo ngecje ndodh për dy arsye. Së pari është mungesa e bashkërendimit mes 3 institucioneve përgjegjëse për kthimin dhe legalizimin e pronave në Shqipëri, që janë ALUIZNI, Agjencia e Kthimit të Pronave dhe në fund Zyra e Regjistrimit.
Këto agjenci kanë probleme me standardizimin e të dhënave, më saktë hartave të përpunuar në terren nga ALUIZNI me teknologjinë më të fundit, por që nuk mund të përpunohen nga zyra e regjistrimit që nuk e ka këtë teknologji. Kjo sipas Bankës ka ngadalësuar procesin dhe ka zvogëluar saktësinë e të dhënave.
Por arsyeja e dytë që duket edhe më e rëndësishmja është ajo e kostos. Paratë që qeveria mbledh nga procesi i legalizimit nuk mjaftojnë për të bërë kompensimin e pronarëve, të cilëve u është zaptuar trualli.
Top Channel