Kur Dritan Hoxha u nda nga jeta 3 vjet më parë, ai la pas shumë ide, të parealizuara. Shënimet e tij me shkrim dore u shndërruan, sot për nesër, në një testament profesional për bashkëpunëtorët e tij.
Bizneset e tij përfshinin, ndër të tjera, një televizion kombëtar, 3 radio, nga të cilat një kombëtare, një studio grafike dhe një platformë transmetimesh dixhitale tokësore dhe satelitore; e vetmja në fakt në Shqipëri në atë kohë dhe e vetmja sot për sot që ofron transmetime në High Definition.
Duke kaluar kështu nga fusha e interesit thjesht vetjak, në atë të publikut të gjerë, Dritan Hoxha u përpoq që nëpërmjet kompanisë së tij mediatike të sjellë në Shqipëri atë që ishte më e mira e momentit.
Por ai ishte i ndërgjegjshëm se investimet e tija në media do të coheshin përpara nga njerëzit, te të cilët ai përpiqej të injektonte pasionin e tij, pasion që shndërrohej në adrenalinë, që e conte përpara me një shpejtësi të pakapshme. Në fund, duke realizuar ëndrrën e tij, ai bëri të mundur që shumë gazetarë, kameramanë, regjisorë, artistë, muzikantë, aktorë, të realizonin edhe ata ëndrrat e tyre.
Më shumë se 3 vjet nga ndarja e parakohshme nga jeta e presidentit të ndjerë, Dritan Hoxha, Top Albania Radio dhe Top Channel janë në pararojë në transmetimet radio-televizive në Shqipëri.
Por ndodh sot, që drejtuesit të pyesin veten se cdo të bënte Tani më këtë apo atë gjë, në këta apo atë situatë? Hija e tij, frymëzuese, më shumë se autoritare, vijon të jetë e pranishme dhe mënyra e tij e të menduarit, pasioni i tij i të bërit të gjërave, pasuria e tij monetare, vijojnë të ushqejnë ëndrrën e tij, krijesën e tij “Top Media”.
Duke respektuar një traditë, punonjësit e kompanisë dhe familjarët e Dritan Hoxhës, mblidhen cdo tetor, në një nga hotelet më shik të kryeqytetit, për të përkujtuar në një atmosferë festive datëlindjen e tij, por edhe për të mbajtur gjallë frymën e përkatësisë së një familje të madhe.
Sezoni i ri radio-televiziv është në fillimet e veta dhe grila e programacionit përmban programe të vjetra, por edhe plot sfida të reja. Kësaj here Top Channel ka zgjedhur të sjellë, pikërisht në ditën e lindjes së presidentit të ndjerë Dritan Hoxha, një dokumentar të vecantë, atë për jetën e gjigantit të letrave shqipe, Ismail Kadare, që vjen jo thjesht një produkt i ri televiziv, por si një amanet i përmbushur i atyre shënimeve të hedhura me dorë, diku, dikur, nga Tani i Topit.
Top Channel