“Culula” e Jozefinës dhe cinizmi i zotit Fyle

16/10/2011 00:00

Ilir Yzeiri – Jehona e progres-raportit që la Shqipërinë jashtë dyerve të Europës jo vetëm që nuk është shuar, por ka ndezur edhe më patosin dhe afshin e akuzave, ndër të cilat dallon sidomos thënia e zonjës Topalli që opozita është “celulë antieuropiane”.

Mirëpo, për shkak të dialektit që përdor, i cili nuk ka të bëjë fare me shkodranishten e zhdërvjellët dhe të ëmbël, zonjës Topalli, shpeshherë, fjalët i dalin si të shqiptoheshin nga ndonjë bartës i shqipes veri-lindore me ndikim veri-perëndimor. Në këtë rast edhe fjala “celulë”, në veshët e atyre që e dëgjuan u transformua në “cululë”.

Është e drejta e saj që të etiketojë e të shajë cilindo, vetëm se kur mendon që ajo është një zonjë që vjen prej një qytet, i cili dikur shndriste prej ironisë e humorit, prej elegancës dhe stilit, ndihesh vërtet keq. Nuk e di se ç’do të mendonte sot për të Shtjefën Palushi po të ishte gjallë. Nuk e di sa barsaleta qarkullojnë në Shkodër për “cululën” e Jozefinës, vetëm se e di që një zonjë si ajo do të ishte më mirë që të fliste rrallë dhe të mendohej shumë.

Ndërsa renditja e shifrave të bumit ekonomik që ajo bëri para disa kohësh, sipas të cilave ne ia kishim kaluar edhe Francës edhe Gjermanisë, ishin tamam humor shkodran. Natyrisht kjo është njëra anë e medaljes dhe për fat të keq ana e errët e saj. Ndërkaq, qeveria dhe shumica po fajëson opozitën për refuzimin që na ka bërë Europa. Vetë raporti dhe deklaratat e zotit Fyle i japin të drejtë qeverisë në masën 50%. Në mendimin e tij, por edhe të treshes së ambasadorëve të akredituar në Tiranë, si opozita, si qeveria fajësohen thuajse njësoj. Natyrisht nuk dua të krijoj asnjë keqkuptim, por mua më duket se ky qëndrim është cinizëm.

Kur kam përdorur këtë fjalë i jam referuar traditës së shkollës së vjetër greke të themeluar prej Antistenit, por kam marrë vetëm një prej kuptimeve të shumta të kësaj fjale, atë të sarkazmës. Ne në Shqipëri, i nderuar zoti Fyle, kemi një praktikë të ngjashme. Për shumë kohë pagesa e energjisë elektrike ka qenë një problem i madh në kuptimin që një pjesë e popullsisë e paguante atë një pjesë jo. Ndërmarrja e shpërndarjes, KESH-i i atëhershëm dhe CEZ-i i sotëm, për të bërë presion mbi qytetarët që të paguanin faturat ua priste dritat gjithë zonës. Kështu penalizoheshin si ata që kishin paguar, si ata që nuk kishin paguar. Dhe pas kësaj lindnin teoritë se ne jemi popull që nuk e duam rregullin se fajin e ka klasa e kryefamiljarëve tanë e kështu me radhë.

Në progres-raportin tuaj, i nderuar zoti Fyle, ju thoni se zgjedhjet e 29 qershorit ishin me probleme, se zgjedhjet e 8 majit ishin një shans i humbur. Tani pyetja ime është e thjeshtë: në qoftë se qeveria vjedh votat opozita a duhet të protestojë apo jo? Thënë më shkoqur, a duhet të denoncojë apo jo? Sipas raportit tuaj del se gjithë protestat civile dhe bojkoti që ka bërë opozita janë ngërç dhe kanë bllokuar reformat. A nuk do të ishte më mirë që na thoni se ju, të dashur shqiptarë, nuk do të bëheni ndonjëherë vend demokratik, se vendi juaj është zgjedhur për t’u bërë një demokraci eksperimentale. Ajo qeveri që ia rrëmben fitoren opozitës ajo ka të drejtë që të vjedhë votat, që të vrasë demonstrues kur ata protestojnë pasi shohin zv.kryeministrin e tyre se si bën pazar. Ju të dashur shqiptarë nuk e meritoni shtetin e së drejtës.

Pas kësaj opozita juaj duhet të hyjë në Parlament dhe deputetët e saj si dele të bindura të Perëndisë duhet të ngrenë dorën dhe të votojnë çdo ligj që u sjell qeveria. Kështu progresi juaj do të jetë i shpejtë. Në qoftë se ju të nderuar aleatë të Bashkimit Europian kërkoni këtë, unë jam i pari që do t’ju mbështes dhe nuk do të shkruaj tjetër, por vetëm për udhëheqjen e qeverisë, e cila ka gjithmonë të drejtë. Sa herë që opozita të ngrejë zërin, unë do ta denoncoj se ajo po bën ngërç.

Duke lexuar progres-raportin unë kam filluar të dyshoj te vetja dhe më duket se demokracia që unë njoh dhe modelet amerikane apo franceze që unë përpiqem të imitoj qenkërkan jo për vendin tim, sepse në vendin tim po të shkruash atë që mendon të etiketojnë si anti apo si “cululë”, po të protestosh për shkelje të të drejtave kushtetuese të vrasin, po të denoncosh qeverinë se vjedh votat të bëjnë përgjegjës për mosintegrimin dhe të shpallin “cululë” anti-europiane, të quajnë pjesë të ngërçit. Më në fund, i nderuar zoti Fyle, unë e di se eksperimenti demokratik që po bëhet me vendin tim është i domosdoshëm për sa kohë ne prodhojmë njëherë në 50 vjet herë një Enver Hoxhë e herë një Sali Berishë. Ju kini të drejtë që të na thoni se përgjegjësinë e ka klasa kuak-politike, sepse në mendimin tuaj Shqipëria nuk ka pluralizëm, por një klasë, një trup dhe natyrisht një udhëheqës.

Ju e dini shumë mirë se ne duruam 50 vjet një diktator e si të mos durojmë një kriptodemokrat që vjedh votat dhe u lag gurmazin me “dollaro” edhe miqve tanë. E di i dashur Fyle se fajin e kemi ne, shqiptarët që durojmë kaq shumë… Ndërsa ju më shumë se kaq nuk mund të bëni. Ju të paktën jini treguar i sinqertë kur na thoni se fajin e ka populli shqiptar!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA