Topalli: Pakistani të njohë Kosovën

15/10/2011 00:00

Shqipëria dhe Pakistani kanë hapur një kapitull të ri marrëdhëniesh mes
tyre, me vizitën e Kryetares së Parlamentit te Pakistanit, Fahmida
Mirza.

Ajo ndodhet në Tiranë me ftesë të homologes shqiptare, Jozefina Topalli, duke shënuar vizitën e parë zyrtare të një personaliteti të lartë politik të Republikës Islamike të Pakistanit në Shqipëri.

Zonja Mirza, e cila kryeson vetë grupin parlamentar të miqësisë Pakistan-Shqipëri, hodhi idenë e ngritjes së një komisioni të përbashkët parlamentar, jo vetëm për të shkëmbyer përvoja legjislative, por edhe për të nxitur bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Duke mbështetur këtë ide, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu bindjen se kjo vizitë do të shërbejë si një nxitje konkrete edhe për marrëdhëniet ekonomike, një fushë ende e paeksploruar me Pakistanin, një vend me potenciale të mëdha dhe popullësi rreth 170 milion banorë.

Nje nga temat kryesore të bisedës ka qenë edhe Kosova, për të cilën Zonja Topalli vleresoi se Pakistani ka mbajtur qendrime pozitive, por se Shqiperia do të çmonte shumë që këto qëndrime të finalizohen me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana e saj, zonja Mirza theksoi se Pakistani, një nga vendet me më shume influencë ne Organizatën e Konferencës Islamike, e ka seriozisht në konsideratë çështjen e Kosovës dhe se çdo vendim do të merret në përputhje me principet dhe ligjet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB