Forcat paqeruajtëse të KFOR-it nuk u kanë dhënë serbëve të veriut të
Kosovës asnjë ultimatum apo afat për heqjen e barrikadave, me të cilat
kanë bllokuar rrugët.

Zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithatë, është e rëndësishme që të mundësohet lëvizja e lirë, çfarë “është e rëndësishme edhe për forcat paqeruajtëse”.

“Po shpresojmë se do të kemi sukses për të gjetur zgjidhje gjatë ditëve në vijim, por nuk kemi dhënë ultimatume dhe nuk kemi përcaktuar afate”, tha Martin.

Sipas tij, në rast se serbët refuzojnë të heqin barrikadat, aksionet e KFOR-it lidhur me këtë çështje do të varen nga vendimet e misionit EULEX.

Zëdhënësi i këtij misioni, Nikolas Hatën, tha se pozicioni i EULEX-it mbetet i pandryshuar dhe se të gjitha opsionet e mundshme janë të hapura edhe më tutje.

“U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve që kanë vënë barrikadat, t’i heqin ato, sepse kjo është në të mirën e gjithë bashkësisë. Nga to më së shumti pëson popullata lokale. Vendkalimet 1 dhe 31 janë të hapura, por rrugët ende janë të bllokuara. Sa i përket së ardhmes, unë nuk dua të spekuloj. Të gjitha opsionet edhe më tutje vazhdojnë të mbeten të hapura”, tha Hatën.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës thonë se KFOR-i e ka të njohur qëndrimin e serbëve të veriut, i cili mbetet i pandryshuar.

Kërstimir Pantic, lider i serbëve të veriut të Mitrovicës, tha se mënyra se si do të sillen qytetarët serbë, do të varet nga veprimet e KFOR-it, EULEX-it dhe të Qeverisë së Kosovës.

Top Channel