“Stresi” rikthen akuzat ndaj Bombajt

14/10/2011 18:50

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si “Stresi”, i rikthehet akuzave ndaj aktorit Leonard Bombaj në emisionin e “Pasdites”, ditë javë pasi Bombaj u shpall i pafajshëm për abuzim seksual ndaj një të miture.

Historinë tronditëse të vajzës e bëri publik për herë të parë vetë “Stresi”, i cili thekson se kishte me të një marrëdhënie miqësore, pasi 15-vjeçarja ishte një fanse e tij dhe takoheshin shpesh. “Ajo ishte një dëgjuese e rregullt e imja dhe unë e kam për zakon që të takohem me fansat, të ulemi dhe të pimë kafe. “Ajsi” (emri i shkurtër i vajzës) më tërhoqi me historinë e saj, pasi ishte një vajzë e vuajtur, e varfër dhe me dy motra, prandaj e takoja herë pas here”, sqaron “Stresi”, rreth marrëdhënies me vajzën për të cilën rrezikon të përfundojë në burg.

Në fakt, Gjykata ka rrëzuar akuzat ndaj aktorit Bombaj, por jo ato të ngritura nga ky i fundit ndaj “Stresit”, për rrahje dhe kërcënim. Si rrjedhojë, këngëtarit i është caktuar masa e detyrim paraqitjes në Gjykatë. “Për mua, është gjithçka e vërtetë. Vajza nuk gënjen dhe iu them unë që e kam parë duke qarë dhe duke u dridhur. Gjithçka është mëse e vërtetë. Ka edhe një arsye tjetër përse unë e besoj këtë version, libri i Bombajt”.

“Stresi” i referohet një romani që aktori i ka dedikuar pikërisht kësaj ngjarje tronditëse, “diçka që ai nuk mund ta bënte nën akuzë. Nëse do të isha i akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitura, atëherë nuk e di, por do të bëja gjithçka që të pastroja emrin tim dhe pa dyshim, as që kisha kohë të shkruaja një libër. E di që ai ëshët fajtor edhe nga takimi që kam patur, nga ai ballafaqim, kur unë i thashë përse e bëra dhe ai as u revoltua dhe as u çua në këmbë”.

Duke folur për akuzat e rrahjes, “Stresi” përgënjeshtron gjithçka: “Asgjë nuk është e vërtetë. Unë nuk e di ku banon, çfarë makine ka dhe asgjë tjetër, prandaj nuk mund t’i kem zënë pritë ashtu siç ai pretendon”. Në përfundim të intervistës, Arkimed Lushaj lëshon edhe një deklaratë enigmatike: “Vetë Leonad Bombaj do të nxjerrë të vërtetën dhe këtë do ta bëjë shumë shpejt. Nuk iu rrëfej se si. Por do ta shihni shumë shpejt”, përfundoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA