Dështimi i procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni ka rikthyer debatet e ashpra në lidhje me përbërjen etnike të këtij shteti. E para që ka reaguar është politika bullgare.

I pari që ka hedhur një deklaratë të fortë kundër të dhënave zyrtare aktuale, është lideri i VMRO-BND, parti në Bullgari, Krasimir Karakaçanov. Karakaçanov tha për mediat bullgare se ndërprerja e procesit të regjistrimit vërtetoi se shtetësia artificiale po shuhet.

“Ky akt shpreh pafuqinë e shtetit që të mbulojë, të zvogëlojë numrin e personave që nuk fshehin vetëdijen bullgare si dhe rritjen e numrit të shqiptarëve në Maqedoni. Shteti s’mund të rrisë më artificialisht numrin e atyre që e deklarojnë veten maqedonas autoktonë”, citohet Karakaçanov nga mediat bullgare.

Pak ditë më parë u vendos ndërprerja e procesit të regjistrimit të popullsisë, pasi Komisioni Shtetëror për Regjistrim u shpërbë. Nga ky komision, javë më parë hoqën dorë edhe përfaqësuesit shqiptarë, të cilët në atë kohë akuzuan palën maqedonase se po përpiqej me cdo mënyrë të ulte numrin e shqiptarëve në census.

Top Channel