Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim të BE-së, Pier Mirel, kërkon nga institucionet e Kosovës reforma të thella në gjyqësi, administratë publike dhe ekonomi.

Ai ia dorëzoi raportin e progresit për vitin 2011 presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe kryeministrit Hashim Thaçi. Bazuar kryesisht në krijimin e kornizës ligjore, Mirel vlerësoi se raporti i vitit 2011 tregon se në Kosovë ka zhvillime pozitive, por ligjet e miratuara sipas tij duhet të implementohen.  

 “Një çështje të rëndësishme që dëshiroj ta theksoj është sektori i gjyqësisë. Kemi disa vërejtje, por konsiderojmë që adoptimi i ligjeve siç është ai për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe i të tjerëve që ndërlidhen me sistemin e drejtësisë pas themelimit të Këshillit Gjyqësor dhe prokurorial dhe rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve mendoj se qytetarët e Kosovës do të presin një punë më të mirë nga drejtësia”, u shpreh Mirel.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga  paralajmëroi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të udhëheqë mekanizmat për luftimin e korrupsionit. Ajo theksoi se Kosova e ka për obligim t’i largojë të gjitha pengesat e evidentuara në raport.Zonja Jahjaga u ndal te zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

Ajo shprehu edhe njëherë qëndrimin e saj kundër cdo zgjidhje për Kosovën dhe veriun e saj jashtë planit të Ahtisarit.

 “Unë si presidente e Kosovës jam kundër “Ahtisarit plus”, kundër administrimit ndërkombëtar në tri komuna të Kosovës sepse kjo nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit, do të nxiste pabarazi dhe shpërngulje të popullsisë nga një komunë në komunën tjetër”, theksoi Jahjaga.

Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaci dhe ministren e integrimit, zoti Mirel sqaroi detaje të raportit të progresit të cilat sic tha ai kanë mundur të keqkuptohen.

Në raport është përmendur që veriut të Kosovës i duhet një axhende gjithëpërfshirëse për veriun, ndërsa strukturat paralele tëSerbisë, janë quajtur thjeshtë si struktura të ndara.

“Këto ide vijnë nga vizita e komisionerit Stefan Fyle në veri vitin e kaluar. Nuk ka asnjë ide për ndryshimin e axhendës politike”, tha Mirel.

Top Channel