Deputetët e Parlamentit Evropian shprehen se KE i ka dhënë Kosovës një
mundësi të re me progres-raportin, që sugjeron nisjen e dialogut për
liberalizimin e vizave brenda vitit.

Deputeti Hanes Swoboda, anëtar i Komisionit të Cështjeve të Jashtme, ka deklaruar se Kosova ka marrë një sërë ndihmash, por vetë ajo duhet të bëjë më shumë për implementimin e ligjeve.

Në vecanti, Swoboda e ka vënë theksin tek zbatimi i ligjeve për luftën kundër korrupsionit, që konsiderohet si nja nga plagët më të rënda të shoqërisë kosovare.

Ndërsa deputetja Ulrike Lunacek, njëkohësisht raportuese për Kosovën në PE, ka deklaruar se KE po përpiqet të jetë krijues dhe të ofrojë mundësi për afrimin e Kosovës.

Por, ka shtuar ajo, problem mbeten pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat refuzojnë të pranojnë se pavarësia e Kosovës është një fakt real.

“Ato nuk janë të gatshme të shkojnë një hap më tej dhe të pranojnë se ekzistenca e shtetit të Kosovës është një fakt. Megjithatë, ne duhet të punojmë së bashku”, ka thënë Lunacek.


Progres-raporti
i KE për Kosovën sugjeron nisjen e bisedimeve Bruksel-Prishtinë për liberalizimin e regjimit të vizave, por nga ana tjetër vlerëson se shteti i ri duhet të bëjë më shumë përpjekje në luftën ndaj fenomeneve negative.


Ndërsa qeveria e Kosovës
, nga ana e saj, e vlerësoi mundësinë e dhënë nga KE si një sukses të përpjekjeve të saj për afrimin me familjen evropiane.

Top Channel