Bertina Mehmeti, personazhi i “Big Brother 3”, në një debat të nxehtë me kryeredaktoren e gazetës “Paloma”, Aulona Musta, në studion e emisionit të Pasdites, konfirmoi se lidhja e saj me Erjonin vazhdon, në të njëjtën kohë që u shpreh e lodhur nga vëmendja e tepruar e mediave ndaj jetës së saj private.
“Më vjen keq që disa zënka janë bërë kaq të mëdha. E sigurt është që unë dhe Erjoni vazhdojmë”, u shpreh Bertina. Megjithatë, për një njohëse të mirë të botës “rozë” si Musta, lidhja e saj mund të jetë vetëm një farsë, për të mos pranuar ndarjen përpara publikut. Njëkohësisht, ajo shtoi se interesi për jetën e Bertinës përqendrohet vetëm në jetën e saj personale, pasi nuk ka asnjë lloj jete profesionale për të reklamuar.
Vajza e “Big Brother” u kundërpërgjigj me një shembull nga jeta e gazetares, duke e pyetur nëse ajo ishte ndjerë mirë kur u vendos në qendër të vëmendjes për arsye personale, por mori një kundërgjigje të prerë prej znjsh. Mustës. “Edhe unë vij nga një përvojë të ngjashme me tënden, por nuk kam dashur as të përkëdhelem në media dhe as kam pretenduar se jam e bezdisur nga një vëmendje që vetë e kam kërkuar. Duke u futur në “Big Brother”, ke nënshkruar një marrëveshje me publikun, që je vendosur në qendër të vëmendjes, në këmbim të interesit të tyre rreth teje”.
Kryeredaktorja e “Palomës” përfundoi me komente therëse, kur theksoi se: “Shumë personazhë “pseudopublikë” janë të parët që kërkojnë vëmendje dhe të parët që të kritikojnë kur shkruan diçka që nuk iu pëlqen. Është e çuditshme, por e vetmja gjë që ata duan të dëgjojnë është gjëra të mira, duan që t’i të thurësh vazhdimisht lavde për ta”.
Top Channel