Arvizu: 21 janari? Pres drejtësi

14/10/2011 19:55

Në intervistën që ambasadori amerikan Alexander Arvizu dha për Top Channel, komentoi edhe disa nga cështjet më të bujshme të këtij viti, ngjarjet e 21 janarit dhe videon Meta-Prifti.

Zoti Arvizu deklaroi se mezi pret që të shohë drejtësi për ngjarjet e rënda të fillimit të vitit, ndërsa lidhur me videoskandalin, pas rrëzimit të ekspertizës nga Gjykata e Lartë, ai u shpreh se ekspertët e kontraktuar nga prokuroria ishin ndër më të njohurit në Amerikë.

TCH: Publiku në Shqipëri nuk po sheh që drejtësia të vihet në vend. Kjo e vërtetë qëndron dhe për ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku 4 qytetarë të pafajshëm u vranë. Po ju si e shihni, cfarë komenti mund të bëni mbi këtë?

Arvizu: Hetimi po vazhdon ende. Por edhe unë ndaj disa prej këtyre shqetësimeve. Mendoj se të gjithë ne duam të shohim vendosjen e drejtësisë për incidentin e tmerrshëm të 21 janarit. Sic e kam deklaruar më parë, do të doja që një ditë të zgjohesha një mëngjes, të hapja gazetën e të shihja tre seri hetimesh të lidhura mes tyre: një më vete për vrasjet, një për pengimin e mundshem të drejtësisë, nëse kjo vërtetohet nga hetimet, si dhe një ndoshta mbi akuzat për komplot, mbi njerëzit që organizuan dhe zhvilluan një demonstratë, e cila synonte të provokonte dhe një demonstratë e cila synonte të ishte shumë e dhunshme.

TCH: Pra ju mendoni se ishte një puc?

Arvizu: Nuk do të kishte qenë ky karakterizimi që do t’i kisha bërë unë. Por sic e thashë, mendoj se ajo ishte një ditë shumë e errët për Shqipërinë dhe për këdo që merakoset për Shqipërinë. Njerëzit janë duke pritur për drejtësi dhe në këtë kuptim të gjithë sytë janë drejtuar nga zyra e prokurorisë, e përtej saj tek sistemi gjyqësor, për t’i sjellë njerëzve që vuajtën atë ditë, në fakt i gjithë vendi vuajti atë ditë, një drejtësi të matshme për cfarë ndodhi.

TCH: Meqë ra fjala tek prokuroria, si e pritët mosmarrjen në konsideratë të ekspertizës amerikane mbi video-regjistrimin Prifti-Meta, të cilën ia ofruat prokurorisë shqiptare?

Arvizu:
Gjëja e rëndësishme për t’u kujtuar është se e ashtuquajtura ekspertizë amerikane nuk ishte ndonjë ndihmë zyrtare e ofruar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, ndryshe nga hetimet për 21 janarin ku ne kemi shpenzuar paratë e taksa-paguesve amerikanë për të ndihmuar hetimet. Në rastin e të ashtuquajturës kaseta Meta-Prifti, qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk dha ndonjë ndihmë zyrtare. Mesa jam informuar, prokuroria u këshillua dhe kontraktoi shërbimet e një firme shumë të njohur amerikane, apo ndoshta edhe më shumë se një. Sërish, meqenëse nuk është një miratim zyrtar i qeverisë, unë e kam pak të vështirë të flas direkt për këtë cështje, por mesa kuptoj kishte një apo disa firma amerikane me shumë reputacion që asistuan në disa prej aspekteve teknike të hetimit.

TCH: Zoti ambasador, ju numëruat vetë disa prej votave të fundit në Tiranë, më pas gjërat u përkeqësuan. Si ishin zgjedhjet në Tiranë, zoti Arvizu?

Arvizu: Sigurisht që mori një kohë të gjatë për të numëruar të gjitha votat. Ju e dini se Shtetet e Bashkuara donin shumë që të shihnin zhvillimin e zgjedhjeve sipas planit, dhe në përputhje me njoftimin e Presidentit se zgjedhjet do të mbahen. Nëse e mbani mend, një argument vërtitej lart e poshtë, a janë këto zgjedhje lokale apo politike, dhe përgjigjia ime e thjeshtë ishte: të dyja. Mendoj se kur lexojmë raportin e ODIHR-it shohim një vlerësim shumë të ekuilibruar dhe objektiv të mënyrës se si u mbajtën zgjedhjet. Kishte shumë elementë pozitivë për të cilët mund të flitet, si numërimi i votave apo fushata zgjedhore në vetvete nga partitë, si edhe mbulimi që i bëri media. Unë personalisht do të kisha dashur të shihja më shumë debate kokë më kokë dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen. Por sigurisht që ajo që të gjithë mbajmë mend është rezultati i garës në Tiranë.

Kjo është pjesa e dytë e intervistës që gazetarja jonë Arta Tozaj i mori ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu. Në pjesën e parë, që u transmetua mbrëmjen e së enjtes, ai komentoi raportin e Komisionit Europian, duke thënë se ai solli një rezultat zhgënjyes për Shqipërinë dhe bëri përgjegjëse të dy palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA