Pavarësisht vendqëndrimit të automjetit, një banor i komunës pranë Shkodrës është i detyruar të paguajë një tarifë parkimi që shkon nga 1500 lekë, deri në 3500 lekë (të reja), madje akoma e më shumë në rastet e kamionëve, autobusëve etj.
Tarifa është vendosur nga Bashkia e Shkodrës tre vjet më parë, me vendim të këshillit bashkiak, duke penalizuar drejtuesit e automjeteve të paguajnë detyrime që nuk u takojnë, dhe aq më tepër që nuk shkojnë në arkën e njësisë ku janë të regjistruar.
Sikurse kjo tarifë penalizon drejtuesin e mjetit brenda qytetit të Shkodrës, i cili paguan taksë vjetore fikse, pavarësisht se ku e parkon, efekti ndihet akoma edhe më shumë tek banorët e tjerë që nuk jetojnë në qytet, por në komunat përreth, që edhe pse nuk kanë lidhje me njësinë qendrore, janë të detyruar të presin faturën për llogari të bashkisë.
Tarifa paguhet një herë në vit, në sportelin e drejtorisë rajonale të shërbimit të transportit publik, e cila varet nga Ministria e Transporteve.
Kjo drejtori vjel të ardhurat për llogari të bashkisë, përkundrejt një komisioni, kurse komunat nuk përfitojnë asnjë qindarkë.
Pikërisht ky është një tjetër problem që shqetëson njësitë e vogla vendore. Tashmë zërin për këtë detyrim kanë nisur ta ngrenë edhe vetë krerët e komunave.
Me kalimin e viteve, krerët e njësive të Bushatit, Dajçit, Vaut të Dejës, Velipojës, Rrethinës etj., e kanë kuptuar peshën e padrejtë të taksës, që jo vetëm godet banorët e tyre, por më keqja, nuk shkon as në arkat e komunave.
Reagimet janë bërë akoma edhe më të forta tani, kur një pjesë e komunave kanë pësuar rrotacion në zgjedhjet e 8 majit dhe tashmë drejtohen nga e majta.
Ata kërkojnë rishikimin e vendimit të këshillit bashkiak të Shkodrës, në mënyrë që tarifa e parkingut të mos shkojë në arkën e kësaj njësie, por te vetë komunat.
Bëhet fjalë për qindra milionë lekë dhe shqetësimi i tyre ka mbërritur deri në Ministri të Financave. Prej kohësh njësitë vendore po ngrenë zërin për më shumë autonomi në mbledhjen e taksave dhe menaxhimin e të ardhurave, në një kohë kur qeveria është treguar më konservatore në lëvrimin e fondeve.
Me rishikimin e buxhetit dhe ligjin e ri, njësive vendore u janë caktuar disa kuota shpenzimesh që nuk duhen tejkaluar, duke i vendosur në vështirësi në realizimin e planit të investimeve.
Top Channel