Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha të mërkurën se pret që Egjipti ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Thaci u shpreh se pritjet për njohje kanë qenë edhe më herët, po për shkak të revolucionit dhe formimit të institucioneve është shtyrë procesi i njohjes së shtetit të Kosovës nga Egjipti.

Këto deklarata, sipas Telegrafit, kryeministri i bëri pas takimit që kishte me një delegacion nga Egjipti, ndërsa vlerësoi se tashmë njohja e shtetit të Kosovës nga ky vend pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kuvajti njeh pavarësinë e Kosovës

Shteti i Kuvajtit ka njoftuar të martën se ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se do të vendosë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh me të.

Lajmin e bën të ditur dega kuvajtiane e agjencisë franceze të lajmeve “AFP”.“Bazuar në udhëzimet e emirit, shteti i Kuvajtit e njeh Kosovën dhe do të këmbejë përfaqsim diplomatik në nivel ambasadorësh me këtë shtet”, citon agjencia një komunikatë zyrtare të këshillit kuvajtian të ministrave.

Kabineti në fjalë ka kërkuar nga Ministria e Jashtme e vendit që të ndërmarrë masat e nevojshme për të zbatuar vendimin. Lajmi pritet të konfirmohet edhe nga autoritetet në Kosovë.

Nga të dhënat e Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme rezulton se, me Kuvajtin numri i vendeve që kanë njohur Kosovën arrin në 82.

Nigeria dhe Gaboni ende nuk i kanë dërguar notat e tyre zyrtare të njohjes, prandaj edhe nuk figurojnë në listën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel