Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi fajësoi praninë e strukturave të organizuara kriminale në veri të Kosovës për rrënimin e ekonomisë dhe për rrezikimin e stabilitetit dhe sovranitetit të vendit.

“Krimi i organizuar nuk ofron siguri askund, as në pjesën Veriore të Kosovës. Ai po rrezikon jetën e qytetarëve serbë atje dhe perspektivën e tyre, e cila nuk mund të jetë në barrikada dhe në izolimin nga siguria dhe perspektiva për një jetë të lirë”, u shpreh Krasniqi.

Deklaratën e tij ai e bëri gjatë konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit perëndimor që po zhvillon punimet në Budapest.

Krasniqi theksoi nevojën për një bashkëpunim më intensiv në fushën e sigurisë ndërmjet shteteve të rajoni.

“Lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe formave të tjera të krimit janë jo vetëm detyrim i strukturave tona për t’iu garantuar siguri qytetarëve tanë, por janë edhe një detyrim para organizmave ku ne tashmë aderojmë, si dhe para vetë komunitetit ndërkombëtar dhe strukturave euroatlantike ku ne dëshirojmë të integrohemi”, tha ai.

Konferenca e kryeparlamentarëve kryesohet nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Lazso Kover. Në të po marrin pjesë edhe krerët e parlamenteve të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Top Channel