KE-Kosovë, dialogu për vizat brenda vitit

12/10/2011 18:45

Dialogu mes Kosovës dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të nisë në fund të vitit.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i zyrës ndërlidhëse të KE në Prishtinë, Kaldun Sino, gjatë prezantimit të raport-progresit për Kosovën.

Sipas raport-progresit, KE zotohet për lidhjen e marrëveshjeve tregtare mes Kosovës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

KE propozon gjithashtu që të nisë një dialog të strukturuar për sundimin e ligjit me Kosovën, e cila nga ana e saj duhet të hartojë një axhendë gjithëpërfshirëse për veriun.

“Veriu përbën një sfidë jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për vetë misionin EULEX”, deklaron KE.

Në raport vlerësohet më tej se Kosova ka bërë progrese të kufizuara në të gjitha fushat, ndërkohë që sfida kryesore mbetet integrimi i serbëve të veriut dhe zhbllokimi i situatës atje.

Gjithashtu, nënvizohet në raport, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krijimi i një administrate jopolitike janë cështje që do ta shoqërojnë Kosovën për një kohë të gjatë.

Qeveria e Kosovës mirëpret raportin e KE

Ministrja kosovare e Integrimit, Vlora Citaku ka përshëndetur progres-raportin e KE që sugjeron nisjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave brenda vitit.

Në emër të qeverisë kosovare, Citaku ka deklaruar se nisja e dialogut për heqjen e vizave është arritja më e madhe e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Ndër të tjera, Citaku ka përshëndetur raportin e progresit, duke vlerësuar se ai paraqet gjendjen reale të faktike të zhvillimit 1-vjecar të Kosovës.

“Shpresojmë dhe do të punojmë që gjatë 12 muajve të ardhshëm raporti  i Komisionit Evropian të shërbejë si bazë për zhvillimin e dialogut racional dhe konstruktiv ndërmjet aktorëve të ndryshëm të shoqërisë sonë, me qëllim ndërtimin e konsensusit mbarëshoqëror për ndërmarrjen reformave të thella politike, ekonomike dhe shoqërore”, ka deklaruar Citaku.

“Strategjia e zgjerimit ka rikonfirmuar axhendën evropiane të Kosovës me vazhdimin e mbështetjes së dy prioriteteve kyce, liberalizmit të vizave dhe marrëveshjes tregtare”, ka shtuar ajo.

LDK: Raport-progresi, shumë konstatime negative

Ndërsa partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e ka vënë theksin tek konstatimet kritike të progres-raportit, të cilat sipas saj janë shumë shqetësuese.

“Në vecanti janë shumë shqetësuese konstatimet lidhur me mashtrimet në procesin zgjedhor, keqmenaxhimin e buxhetit nga ana e qeverisë, mosfunksionimin e rendit dhe ligjit, nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe mbi të gjitha mungesën e vullnetit politik për t’i luftuar këto fenomene”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti vlerëson se, shqetësimet e ndërkombëtarëve përsa i përket krimit dhe korrupsionit, fenomene që sipas saj kanë dëmtuar imazhin e Kosovës në mbarë botën, po ngadalësojnë rrugën e integrimit në BE.

Top Channel