Shtatë pikat e ambasadorit Arvizu

11/10/2011 00:00

Bledar Kurti – “Ja ku jemi 20 vjet më pas dhe ne e gjejmë veten në një tjetër udhëkryq. Ne kemi parë gjithmonë se të fajësosh nuk funksionon.

Sot, gjithashtu, Shqipëria është në nevojë të një reforme dhe se është e qartë te të gjithë këtu se është një rrugë që do të sjellë mundësi të reja për popullin shqiptar, të cilët e kanë shprehur qartë se ku i përket e ardhmja e vendit të tyre. Perspektiva e Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve. Udhëheqësit e vendit patjetër duhet të bëjnë zgjedhjen korrekte për t’u bashkuar në avancimin e integrimit të vendit drejtë BE-së. Tani, siç e bëmë 20 vjet më parë, ne e shtrijmë dorën duke ofruar asistencë dhe inkurajim për vazhdimin e procesit.” Këto ishin fjalët e ambasadorit amerikan Arvizu gjatë një takimi në kuadër të javës të miqësisë së ngushtë Shqipëri–SHBA.

Mesazhi i ambasadorit Arvizu përmban në vetvete shtatë pika të rëndësishme, të cilat duhen lexuar me kujdes si nga shqiptarët ashtu edhe nga klasa politike.

Ambasadori Arvizu e nis fjalën e tij duke bërë një apel publik se situata ku ndodhet vendi është një udhëkryq tjetër dhe varet nga politika se në çfarë drejtimi do të ecet. Duke përmendur se edhe pas 20 vitesh vendi gjendet në të njëjtën situatë, ai apelon se nuk ka më kohë për të humbur, por vendi duhet të ecë përpara. Koha është tani. Dy dekada tranzicioni politik ishin shumë dhe në një moment kur Europa ka hapur dyert e saj për Shqipërinë dhe kur vendi më i fuqishëm në botë është më pranë shqiptarëve sesa kurrë, është koha për një pjekuri politike dhe nuk ka më asnjë arsye që vendi të vazhdojë në status quo dhe politika të shprangosë shqiptarët dhe t’i lejojë ata të gëzojnë të drejtën gjeografike dhe të përmbushin ëndrrën që kanë në zemër dhe në mendje për të qenë europianë me të drejta të plota.

Së dyti, ambasadori i bën thirrje politikës të heqë dorë nga fajësimi i vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, pasi, sipas tij, ne e kemi parë se nuk funksionon. Gjatë këtyre 20 viteve kemi parë se politika jonë është marrë vetëm me akuza, sulme, komplote, protesta të dhunshme dhe të qeta, greva urie, deklarata të rëndomta, gjuhë e pahijshme, grushte në Parlament, ofendime personale, etiketime banale si: mafiozë, oborrtarë, kriminelë, bastardë, hajdutë, fashistë, persona në kërkim, njerëz dhe parti të shoqëruara me ndjesë pastë etj. Kushdo që ka bërtitur më shumë ka menduar se do të fitojë më shumë vota. Kushdo që ka ofenduar më shumë ka menduar se është politikan më i mirë. Dhe, kushto që ka fajësuar më shumë ka fshehur më mirë mëkatet e veta dhe të partisë që drejton apo përfaqëson.

Së treti, nën frymën e bashkëpunimit, ambasadori apelon për nevojën e një reforme dhe se është ky bashkëpunim dhe ndërmarrje e reformës që do e drejtojë vendin në një rrugë e cila do të sjellë mundësi të reja për popullin shqiptar. Por a i referohej ai reformës zgjedhore apo 10 pikave të Ramës? Lexohet qartë se ambasadori flet për një koncept të ri të politikës, të ngjashme me atë të vendit që ai përfaqëson dhe të ndryshme nga kjo që kemi sot. Një politikë e reformuar që sjell reforma dhe një mentalitet racional politik dhe jo provincializëm mendimi që ka penguar ecjen e vendit përpara që prej dy dekadash.

Në pikën e tij të katërt, z. Arvizu e bën të qartë se shqiptarët e kanë shprehur qartë se ku i përket e ardhmja e tyre, dhe faji për një Europë të vonuar dhe progres të dukshëm të vendit bie vetëm mbi politikën.

Megjithatë ai vazhdon të inkurajojë shqiptarët të mos rrinë pasivë, dhe në pikën tjetër ai vë në dukje se perspektiva e Shqipërisë është në duart e shqiptarëve. Ndoshta ambasadori i bëri një qortim edhe shoqërisë civile, e cila duhet të jetë më aktive në jetën politike të vendit. Gjatë këtyre dy dekadave shoqëria civile u ka shërbyer më së miri partive të mëdha dhe ka qenë në dispozicion të politikës. Ka ardhur koha që grupimet intelektuale dhe shoqëria civile të ndryshojë pozicionin e shërbëtorit ndaj politikës dhe të renditet si kundërshtare e saj. Për 20 vjet politika i ka mbajtur nën presion intelektualët dhe njerëzit e thjeshtë, duke i ndrydhur shpresat e një Shqipërie europiane dhe duke i diktuar se ç’është e mirë për të ardhmen e tyre. Ka ardhur koha që shqiptarët t’i diktojnë politikës se cila është rruga më e mirë për të mirën dhe të ardhmen e përbashkët.

Udhëheqësit e vendit patjetër duhet të bëjnë zgjedhjen korrekte për t’u bashkuar, shton ambasadori amerikan. Si mazhoranca ashtu edhe opozita, si Berisha ashtu edhe Rama, duhet të ndahen politikisht, por të bashkohen në çështjet ku varet e ardhmja e 3.5 milionë shqiptarëve. Asnjë njeri i thjeshtë nuk është i interesuar të shohë Berishën dhe Ramën të përqafuar, t’i buzëqeshin njëri-tjetrit, apo ta duan njëri-tjetrin, por i intereson një populli të tërë të shohë një bashkëpunim dhe kompromis midis tyre për kryerje reformash, vendosje stabiliteti politik në vend, dhe përpjekje të përbashkëta për të përmbushur 12 rekomandimet e KE-së dhe anëtarësimin e vendit në familjen europiane.

Së fundmi, ambasadori i shtetit më të fuqishëm në botë, përulet përpara një populli të vogël dhe politikanëve të vegjël sipas rëndësisë botërore, duke u shprehur se SHBA-ja shtrin dorën duke ofruar asistencë dhe inkurajim ashtu siç ka bërë për 20 vite me radhë. Kjo thënie meriton komente pafund, por mesazhi kryesor konsiston në faktin se shqiptarët e kuptuan edhe një herë dallimin midis miqve dhe armiqve të shqiptarëve.

Ja ku është vendi më i fuqishëm në botë që zgjat dorën për ta ndihmuar vendin të ecë përpara, por politikanët tanë nuk denjojnë ta pranojnë këtë dorë. Të gjithë e pamë ambasadorin Arvizu të përvishte mëngët dhe të ruante votat e qytetarëve të thjeshtë, por me paturpësinë më të madhe politika jonë nuk arrin në një marrëveshje për të kryer një reformë zgjedhore që garanton votën e lirë. Gati çdo javë ambasadori amerikan viziton selinë rozë dhe institucionet kryesore qeverisëse të vendit, por kreu i selisë rozë injoron ftesat ose vonohet qëllimisht në takim, ndërsa, nga ana tjetër, mazhoranca nuk po tregon vullnetin të ulet për bisedime.

Arsyeja që vendi ynë ndodhet në një udhëkryq tjetër dhe se vazhdojmë t’i humbim trenat që të shpien në familjen europiane, është se politika jonë mesa duket nuk di ose nuk dëshiron ta drejtojë vendin në atë destinacion. Nuk di apo nuk dëshiron mbetet një debat i hapur, por një gjë dihet me siguri që, ndërsa Europa ka hapur dyert e saj dhe SHBA-ja ka shtrirë gjithmonë duart për të ofruar asistencë dhe inkurajim, politika jonë ka shërbyer si pengmarrëse e 3.5 milionë shqiptarëve, të cilët meritojnë një të ardhme më të mirë.

Sot Shqipëria ka shumë miq të jashtëm, por fatkeqësisht armikun më të keq e ka brenda vetes.

Gazeta “Shqip”

Top Channel