Shteti i Kuvajtit ka njoftuar të martën se ka njohur Kosovën si shtet të
pavarur dhe se do të vendosë marrëdhënie diplomatike në nivel
ambasadorësh me të.

Lajmin e bën të ditur dega kuvajtiane e agjencisë franceze të lajmeve “AFP”.

“Bazuar në udhëzimet e emirit, shteti i Kuvajtit e njeh Kosovën dhe do të këmbejë përfaqsim diplomatik në nivel ambasadorësh me këtë shtet”, citon agjencia një komunikatë zyrtare të këshillit kuvajtian të ministrave.

Kabineti në fjalë ka kërkuar nga Ministria e Jashtme e vendit që të ndërmarrë masat e nevojshme për të zbatuar vendimin. Lajmi pritet të konfirmohet edhe nga autoritetet në Kosovë.

Nga të dhënat e Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme rezulton se, me Kuvajtin numri i vendeve që kanë njohur Kosovën arrin në 82.

Nigeria dhe Gaboni ende nuk i kanë dërguar notat e tyre zyrtare të njohjes, prandaj edhe nuk figurojnë në listën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Për shkak të mungesës së notave zyrtare, në radhët e diplomacisë kosovare është krijuar një ngatërresë që ka vënë në dyshim procesin e njohjeve.

Top Channel