Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi u ka bërë thirrje partive politike që të dalin me një qëndrim të qartë dhe të përbashkët për veriun e vendit.

“Kuvendi i Kosovës është vendi ku partitë politike duhet të sjellin qëndrimet dhe mendimet e tyre të pjekura dhe më pas Parlamenti të dalë me një qëndrim në interes të sundimit të rendit dhe ligjit në cdo pjesë të Kosovës, në vecanti në veri”, ka thënë Krasniqi.

Deri më sot qëndrimet e partive kosovare lidhur me situatën në veri të vendit kanë qenë të ndryshme.


Partitë opozitare
, në vecanti LDK dhe Vetëvendosje, kanë kritikuar vazhdimisht veprimet e qeverisë Thaci duke i cilësuar ato si të pamjaftueshme dhe si të dështuara.

Majde, Vetëvendosje ka prezantuar një paketë me 13 propozime që sipas saj do të zhbllokonin situatën në veri, por deri tani ato nuk janë miratuar nga Parlamenti.

Komentet e tij Krasniqi i ka bërë pas mbledhjes së kryesisë së Parlamentit, ku është caktuar seanca e radhës që do të mbahet të premten.

Ndër të tjera, kryeparlamentari ka shprehur shpresën se në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian që publikohet pasnesër, do të vlerësohet puna e institucionit të drejtuar prej tij.

Mëgjithatë, Krasniqi ka pranuar se legjislatura e re nuk ka shënuar ndonjë progres konkret në rrafshin e mbikëqyrjes së ekzekutivit, që është edhe një nga pikat ku fokusohet vlerësimi i raportit mbi punën e legjislativit.

Top Channel