Kriza financiare ka detyruar qeverinë greke të bëjë shkurtime të mëdha në sektorin shëndetësor, duke rrezikuar kështu një përkeqësim serioz të këtij shërbimi ndaj popullatës, raportoi të hënën “BBC”, në një speciale dedikuar situatës së rënduar në vendin fqinj.

Gjithmonë e më shumë njerëz raportojnë probleme me shëndetin, ndërsa problemet nga sëmundjet bakteriale apo virueset si HIV janë në shtim, edhe për shkak të reduktimit të fushatave shëndetësore kundër këtyre sëmundjeve.

Shërbimi shëndetësor publik është në një gjendje “të rrezikshme” sipas ekspertëve, të cilët gjithsesi shtojnë se impakti i vërtetë mbi cungimin e fondeve në këtë fushë jetike do të shihet në një periudhë kohore disa-vjeçare.

Greqia është duke kaluar një krizë të rëndë ekonomike, e cila e ka detyruar të marrë hua të pafundme nga vendet e Bashkimit Europian. Kolapsi fiktiv ka sjellë edhe probleme në bursat ndërkombëtare dhe në monedhën e përbashkët euro.

Për të përmirësuar defiçitin e tejskajshëm buxhetor, me të ardhurat që janë reduktuar edhe nga rënia prej 13% i ekonomisë në tre vitet e fundit, Greqia është detyrojë të shkurtojë me 40% fondin për shëndetësinë.

”Spitalet kanë mungesa të theksuara në staf, janë të paaftë të blejnë pajisje të reja dhe ndonjëherë nuk kanë as medikamente. Si rrjedhojë, kurrupsioni në këto institucione ka arritur nivele alarmante”, shkruhej në artikull.

Sipas statistikave, ndërsa situata në spitalet shtetërore përkeqësohet, numri i pacientëve që i drejtohen për ndihmë është rritur me 24%, pasi gjithmonë e më pak njerëz janë në gjendje të përballojnë çmimet e kripura të spitaleve private.

Top Channel