Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka lënë të kuptohet se të mërkurën Serbia do të marrë statusin e vendit kandidat.

Të mërkurën do të publikohet raport-progresi i Komisionit Evropian mbi zgjerimin, ku në qendër do të jenë vendet e Ballkanit.

“Në cdo rast, Italia do ta mbështesë këtë kandidaturë”, ka thënë Frattini, i cili nga ana tjetër ka kërkuar që negociatat Serbi-Kosovë të rifillojnë sa më parë.

Deklarata e shefit të diplomacisë italiane vjen disa ditë pas atyre të disa zyrtarëve evropianë, se Serbia nuk mund të afrohet me BE-në pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Franca, kushte Serbisë për në BE

Ditën e enjte, ministri francez për Cështjet Evropiane, Jean Leonetti, i bëri të qartë Beogradit se më parë duhet të rregullojë marrëdhëniet me vendet fqinje.

Deklaratën e tij, Leonetti e bëri para një vizite që ka në plan të zhvillojë në Kroaci dhe Serbi.

“Gjatë vizitës sime do t’i përcjell Serbisë mesazhin se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë në radhët e tij një shtet që ka konflikte me fqinjët dhe që nuk pajtohet me ta”, deklaroi Leonetti.

Polonia: Kosova, kusht për Serbinë në BE

Pak ditë më parë edhe ambasadori polak në Beograd, Andrzej Jasionowski deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor.

“Deri në një marrëveshje të plotë, autoritetet në Serbi duhet të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KF0R-in dhe jo të ngrenë pengesa”, deklaroi Jasionowski.

Ai nënvizoi se koncepti i BE-së nënkupton që vendet anëtare të sigurojnë paqe dhe stabilitet.  

Gjermania: Serbia të normalizojë raportet me fqinjët

Ndërsa në fund të shtatorit një apel analog erdhi nga Gjermania, përmes sekretarit shtetëror në Ministrinë e Jashtme.

“Serbia duhet të rregullojë raportet me fqinjët e saj, jo vetëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit, por edhe për të marrë statusin e vendit kandidat”, deklaroi Werner Hoyer.

Ai tha se, Serbia duhet të shprehë qartë qëndrimin e saj përsa i përket bisedimeve me Kosovën dhe po ashtu edhe përsa i përket situatës në veri të shtetit të ri.

Top Channel