Love rikthehet të flasë për vetëvrasjen e Cobain

06/10/2011 16:15

E bërë e famshme si bashkëshortja e Kurt Cobain, këngëtarit legjendar të “Nirvana”-s, Courtney Love rikthehet të flasë sërish për vetëvrasjen tragjike të vitit 1994.

Në një intervistë për revistën “Vanity Fair”, 47-vjeçarja, nëna e një vajze me Cobain, thotë se ende nuk e ka falur bashkëshortin e saj për ngjarjen që ndërpreu në mes jetën e tij në kulmin e karrierës, në moshën 27-vjeçare.

”Nëse ai do të ringjallej dhe do të hynte sërish në derën time, atëherë do të isha unë ajo që do ta vrisja për dhembjen që na ka bërë të kalojmë”, deklaroi Love.

”Më është dashur të pi ilaçe për të fjetur për vite me rradhë dhe për pak më mori edhe mua me vete, pasi më zhyti në një gjendje depresive, në të cilën kam bërë shumë gjëra të gabuara”.

Courtney, një ish-e varur nga droga, lëshoi akuza edhe ndaj disa njerëzve të afërt të këngëtarit, të cilët sipas saj, duke përfituar nga vdekja e tij, janë bërë me vila dhe llogari të majme nëpër banka.

Vajza e çiftit, Frances, iu hoq nënës dhe iu dha nën kujdestari të gjyshës kur ajo ishte 13 vjeç, pasi Courtney kaloi në overdozë dhe rrezikoi të vdiste disa vjet më parë.

Me vendimin që është ende në fuqi, Frances dhe Courtney mund të kalojnë të jetojnë bashkë vetëm duke nisur nga viti i ardhshëm, kur vajza të jetë maxhorene.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA