Sfida e Shqipërisë, t’i shpëtojë krizës greke

01/10/2011 08:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vëren se Shqipëria e ka kaluar “relativisht mirë” fazën e parë të krizës ekonomike që filloi në shtator 2008, por se tani, sfida më e madhe e vendit tonë është që t’i shpëtojë efekteve anësore që mund të vijnë nga kriza greke.

“Rreziku kryesor makroekonomik vjen nga kriza e Greqisë, më së shumti në formën e rënies së investimeve, remitancave më të ulëta, kosto më të larta vendore për degët e bankave greke dhe rënie të volumit të tregtisë”, thotë BERZH, të cilës i referohet gazeta “Shqip”.

Borxhi publik është relativisht i lartë së bashku me deficitin e llogarisë korrente, gjë që përbëjnë gjithashtu rrezik”, nënvizon instituti kryesor bankar i BE-së.

Ndryshe nga ekspertët e BERZH, kryeministri shqiptar Sali Berisha beson se kriza greke nuk do të ketë efekt në Shqipëri.

“Kriza e borxhit në Greqi, dhe euro-kriza në tërësi, nuk kanë patur një impakt pozitiv në vendin tim, për shkak të faktit se pothuajse një milionë shqiptarë punojnë në Greqi. Megjithatë, deri tani mund t’ju siguroj se nuk ka patur asnjë pasojë negative madhore. Së pari, bankat greke në Shqipëri, mbahen shumë mirë, janë serioze dhe po performojnë mirë. Së dyti, shqiptarët që po vijnë nga Greqia, po investojnë në biznese të reja. Kështu, numri i bizneseve të reja në vendin tim, vitin e kaluar u rrit, dhe po rritet me 40 përqind,” deklaroi Berisha për CNBC.

BERZH: Politika keqpërdor shërbimet komunale

Shqipëria ka nevojë për më shumë investime private në infrastrukturë fizike, veccanërisht energji elektrike si dhe ka nevojë të reformojë shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Këto janë disa nga konkluzionet e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në një raport të detajuar mbi ecurinë e tranzicionit.

Raporti i jep Shqipërisë një notë mesatare në ecurinë drejt ekonomisë së tregut të hapur, notë kjo e ngjashme me vendet e Azisë Qëndrore, të cilat përfshihen në indeksin e tranzicionit.

Raporti thotë se një nga arsyet e vlerësimit të keq për Shqipërinë, është se tarifat e vendosura për shërbimet vendore janë shpesh pasojë e ndërhyrjeve politike dhe jo e analizës konkrete të kostove.

“Më shumë kapital privat është i nevojshëm për të financuar investimet në infrastrukturë, veccanërisht në transport dhe energji elektrike. Prioriteti është që të përshpejtohen përgatitjet për projektet e investimeve, duke garantuar që tenderët të kryhen në një mënyrë të hapur dhe transparente”, thotë BERZH.

Shqipëria ka kryer disa investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe ka nënshkruar kontrata për investime në energjetikë, por në të dyja rastet, kontratat janë nënshkruar në mënyrë të dyshimtë, shumë shpesh me tenderë të stisur apo pa tender fare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA