Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers është shprehur
skeptik për një zgjidhje të shpejtë të kontestit të emrit kushtetues.

“Nuk besoj se kjo do të ndodhë, pavarësisht takimeve intensive dhe përpjekjeve për ripërtëritjen e negociatave në Nju Jork”, ka deklaruar Wohlers.

Diplomati amerikan nënvizoi se cështja në fjalë nuk zgjidhet me takime publike, por përmes bisedimeve të fshehta, me dyer të mbyllura.

“Kjo cështje është dicka mbi të cilën duhet të punohet. Ajo nuk zgjidhet me deklarata publike, por përmes bisedimeve në situata private”, theksoi Wohlers.

Ambasadori premtoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e kontestit, ndërkohë që kërkoi më shumë angazhim nga partitë opozitare të Maqedonisë.

Wohlers u takua me liderët e partive opozitare të LSDM-së dhe PDSH-së, Branko Cervenkovskin dhe Menduh Thacin, të cilët u shprehën të gatshëm të japin kontributin e tyre.

“LSDM do të japë kontribut maksimal për proceset integruese”, tha Cervenkovski, ndërsa Thaci nënvizoi se, “sjellja e PDSH do të jetë në drejtim të ndihmës për zgjidhjen e kontestit”.

Pak kohë më parë, Wohlers mohoi zërat se Shtetet e Bashkuara kishin ushtruar presion ndaj Greqisë për zgjidhjen e kontestit që po pengon integrimin e Maqedonisë.

Top Channel