Trupat e NATO-s kanë filluar largimin e barrikadave të cilat janë të vendosura në pjesën veriore të Kosovës.

Ushtarët e KFOR-it të hënën rreth orës 19 e 30 minuta kanë përfunduar aksionin për largimin e barrikadës së zhavorrit që e lidh pikën kufitare 1 në Jarinjë me bazën e tyre që ndodhet në afërsi.

Siç raportohet ushtarët e KFOR-it kanë vendosur tanke dhe transporterë të blinduar përgjatë rrugës nga baza e KFOR-it, mbi pikën kufitare në Jarinjë.

Por, menjëherë janë kundërpërgjigjur serbët të cilët pak metra më larg kanë vendosur një barrikadë të re, që sic merret vesh bllokon edhe më tej rrugën në drejtim të kësaj pike kufitare.

Po ashtu, Top Channel mëson se KFOR-i ka mbyllur rrugën alternative që ndodhej pranë pikës kufitare, të cilën serbët e kishin hapur disa ditë më parë. Merret vesh se situata ka qenë e tensionuar por nuk është raportuar për ndonjë konfrontim.

Top Channel