Dhunimi i dy grave dhe heshtja e të tjerave

23/09/2011 00:00

Xhovani Shyti – Lajmet që njoftojnë dhunimin, përdhunimin, madje edhe
marrjen e jetës së grave janë dëshmi argumentuese e sjelljes së padenjë
mashkullore.

Janë pjesë e mjedisit të egër shqiptar paskomunist, ku maskiliteti i shëmtuar është sundues i pandëshkueshëm, sovran. Midis të tjerave edhe sepse ka humbur zëri i fuqishëm femëror. Zëri protestues unitar dhe jo ai sporadik, që vjen ndonjëherë për kredo politike apo përfitime financiare, nga shoqata të grave. Të cilat, nëse do t’i identifikosh në tryeza ku diskutohet për thithje fondesh, do të shohësh se janë jo pak.

Pak javë më parë, Anila Çobani, ish-inspektore në Drejtorinë e Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, së bashku me një kolegen e saj janë pushuar nga puna, por edhe janë dhunuar, madje brutalisht. Për këtë akt sa antiligjor aq edhe të turpshëm, të dyja ish-nëpunëset bashkiake po vijojnë rrugën e tyre ligjore, me paditë e ngritura në prokurori, ndaj drejtorit të Policisë së Bashkisë së kryeqytetit, Florenc Hoxha, të cilin e akuzojnë për ushtrim dhune në institucionin e punës. Ndërkohë u mësua se prokuroria ka kërkuar pezullimin nga detyra të z. Hoxha etj., etj., dhe duke shpresuar që kjo procedurë prokuroriale të mos jetë saltoja e saj e radhës, po lëmë deri këtu sjelljen e organeve të drejtësisë për këtë rrahje të turpshme grash. Sepse fjalën e kemi te diçka tjetër. Te sjellja sociale ndaj dhe këtij gjesti. Te reagimi solidar ndaj këtij akti, sa brutal aq edhe të papranueshëm për një shoqëri që pretendon të ketë arritur një farë pjekurie moderniteti. Për një shoqëri që nga parulla komuniste: “Të djegim me zjarr e hekur cilindo që guxon të prekë dinjitetin e gruas”, ka kaluar në një etnitet që nuk e ka për gjë të gjymtojë pakufishmërisht dinjitetin e femrës.

Qindrat e lajmeve, që kemi dëgjuar dhe vazhdojmë të dëgjojmë pothuajse sistematikisht, të cilat njoftojnë dhunimin, përdhunimin, madje edhe marrjen e jetës së grave janë dëshmi argumentuese e kësaj sjelljeje. Tituj të tillë si “Vrau gruan me satër”, “Qëlloi për vdekje gruan, se i shkulte lulet”, “Vrau gruan se hante mishin e derrit”, “Babai vret vajzën se doli pa leje”, “E qëlloi në kokë pastaj ia preu trupin copa-copa”, “Nuk dihet ku është koka e gruas viktimë e një plaku” etj., janë një pjesë e makabriteteve të emetuara nga shtypi e media. Janë pjesë e mjedisit të egër shqiptar paskomunist, ku maskiliteti i shëmtuar është sundues i pandëshkueshëm, por edhe sovran. Midis të tjerave, edhe sepse ka humbur zëri i fuqishëm femëror. Zëri protestues unitar dhe jo ai sporadik, që vjen ndonjëherë për kredo politike apo përfitime financiare, herë nga kryetarja e Parlamentit e herë nga drejtuese shoqatash të grave. Të cilat nëse do të kërkosh t’i identifikosh në ndonjë tryezë ku diskutohet për thithje fondesh do të shohësh se janë jo pak. Janë shumë, shumë më shumë sesa mund t’i duhen një vendi të vogël si Shqipëria, por që bëjnë pak, fare pak punë për emancipimin real të grave paskomuniste shqiptare. Që bëjnë pak, fare pak për të ndalur dorën vrastare mashkullore, që ende e konsideron femrën plaçkë, pronë të cenueshme sa herë të dëshirojë dhe me të cilën mund të bëj ç’të dojë. Por edhe që t’i edukojë segmente të veçanta të shtetit që, po ashtu, e konsiderojnë femrën, gruan, nënën, motrën, po të tillë.

Kryepolici i Bashkisë së Tiranës është një prej tyre. Që pa pasur asnjë argument ligjor, apo arsye ligjore, guxoi jo vetëm t’i zbojë nga puna, por edhe të dhunojë dy gra, dy punonjëse të zyrës së tatim-taksave, për të cilat pretendonte se ishin pushuar nga puna dhe, megjithatë, sipas tij: kishin guxuar të vazhdonin të shkonin në vendin e tyre të punës.

Edhe sikur ajo çka pretendonin këto gra të mos ishte e vërtetë, pra që vazhdonin të shkonin në punë pasi nuk kishin marrë asnjë dokument zyrtar, që t’i lajmëronte heqjen nga puna, përsëri kjo nuk e justifikon dhunën e titullarit, që duhet të kuptojë se në marrjen e pagës së tij ka vend edhe kontributi i atyre grave. Por edhe sikur të jetë ashtu siç pretendon kryepolici bashkiak, pra që ato dy gra kishin dijeni dhe megjithatë nuk e zbatonin urdhrin, përsëri nuk mund të justifikohet dhuna e derdhur prej tij. Dhuna në zyrat e administratës shtetërore, dhuna ndaj dy femrave, dhuna ndaj dy grave, dhuna ndaj dy nënave, dhuna ndaj dy bashkëshorteve, dhuna ndaj dy përfaqësuesve të seksit të dobët, të cilin shoqëritë e vendeve vërtet të emancipuara e konsiderojnë “lubrifikantin e jetës”. Pa praninë e të cilit ingranazhet mashkullore të jetës do të thyheshin. Është koncepti modern i vendit që i kanë caktuar shoqëritë demokratike femrës, por që, fatkeqësisht, te ne ekziston në përmasë ishullore, pikërisht sepse, më së pari është vetë shteti që e koncepton femrën, gruan, nënën, motrën, të tillë. Lodër në duart e meshkujve kompleksivë, xhahilë dhe trima me gratë, që në masë jo të vogël, gjallojnë edhe në sferat drejtuese të administratës zyrtare.

“Jemi dhunuar padrejtësisht, në mes të ditës, në mes të kryeqytetit, pranë institucionit të punës, ku për t’u futur brenda duhet të respektosh normat e sigurisë, pasi gjithçka është e kontrolluar nëpërmjet kompjuterizimit… Ne nuk kemi provokuar asnjë situatë, as drejtorin e policisë bashkiake, e as nuk kemi bërë rezistencë për të qëndruar në vendin e punës, derisa nuk na ishte dorëzuar një shkresë largimi… Ne punonjëset e zyrës së tatimeve, jemi fyer, jemi ofenduar dhe dhunuar në vendin tonë të punës, në krye të detyrës. Kjo është bërë pa asnjë shkak, janë videot e xhiruara, faktet më të patjetërsueshme, autentike, ku tregohet qartë se ne nuk kemi provokuar, as nuk kemi fyer, as nuk kemi ushtruar dhunë… Ditën kur ka ndodhur ngjarja, unë përveçse jam dhunuar, shenja të cilat i kam edhe sot, nga forca jam shtrirë në tokë e jam ngritur pas ilaçeve që më kanë dhënë dhe sasive të alkoolit që më janë vendosur në hundë. Përveç meje, një tjetër kolegeje nga emocionet e forta dhe tronditja i ka rënë të fikët. Edhe sot, kur në shtëpi na bie telefoni dhe nuk përgjigjen, kur mbërrijnë mesazhe nga numra të paidentifikuar shqetësohemi po aq sa edhe ditën e parë… Pas largimit nga puna kemi marrë pushime për të ndenjur në qetësi. Në shoqërinë e të afërmve. Por që nga ajo ditë, unë personalisht kam humbur përqendrimin dhe jam ndier keq, sepse askush nuk e meriton të ofendohet në një mënyrë të tillë”.

Kështu ka analizuar dhe komentuar në prononcimin e saj për gazetën “Shqip”, të dt. 17 shtator 2011, njëra nga femrat e dhunuara, Anila Çobani, duke e shprehur qartazi, dhe fare hapur, traumën, pasojën e ardhur nga ushtrimi i dhunës prej një punonjësi të lartë zyrtar. Dhunë e denoncuar nga vetë viktimat, nëpërmjet shtypit e medias, dhunë e denoncuar në organet kompetente ligjore, por e mbetur deri këtu. Deri në kufijtë e individualizmit. I përkrahur vetëm nga një duzinë femrash, të cilat më në fund në fillimin e kësaj jave morën mundimin të protestonin para Bashkisë së Tiranës. I papërkrahur nga mizëria e organizatave e shoqatave që u pëlqen të thirren joqeveritare, por që, të vendosura në të tilla situata flagrante, tregojnë se e kanë të lidhur kërthizën me atë të politikës dhe qeverisjes. Sepse po të ishte ndryshe, pra po të ishte se këto OJF, siç pretendojnë zëlartë, do të kishin qëllim të vërtetë moslejimin e cenimit të dinjitetit të grave, femrave, nënave, motrave e bashkëshorteve, minimumi do të kishim parë të bënin një reagim në bllok, për aktin e turpshëm të dhunimit zyrtar të dy ish-punonjësve të zyrës tatimore të bashkisë së kryeqytetit. Dhunim i ndodhur brenda ambienteve zyrtare dhe nga një titullar i lartë i administratës së saj. Fakt i mjaftueshëm ky për ta ngritur madje piacën e reagimit deri dhe në demonstrime paqësor. Gjë që turpësisht nuk ka ndodhur.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB