Plani operacional ka funksionuar me përpikmëri deri më tani dhe
asnjëherë nuk ka pasur vonesa qoftë edhe në ndërrimin e doganierëve dhe
policëve kufitarë.

Kështu ka deklaruar sot ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, në seancën e Kuvendit ku ka paraqitur një informatë të shkurtër për gjendjen në veri. Ai ka përseritur se barrikadat në veri janë të paligjshme dhe se askush nuk ka të drejtë për bllokimin e lëvizjes së lirë.

Megjithëkëtë ai nuk ka përmendur ndonjë afat kohor se deri kur do të tolerohet bllokimi i rrugëve, ndërsa ka thënë se për këtë duhet një koordinim me KFORin dhe EULEX-in.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka arrestuar 13 serbë, gjatë natës së mbrëmshme, në Mitrovicë. Arrestimi i tyre është bërë pasi që ata kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe kanë bërë transportimin e lëndës së parë për kombinatin industrial Trepça. Jo zyrtarisht, merret vesh se bëhet fjalë për 13 shoferë të kamionëve të sipërmarrjes Eurokop nga Rashka, të cilët eksportojnë koncentrat të minierës Trepça për në Zvicër. Sipas zëdhënësit të policisë, Besim Hoti, ata po mbahen në paraburgim dhe brenda 48 orëve do të dalin para gjykatësit. Në anën tjetër, nata e mbrëmshme nuk ka shënuar ndonjë incident të rëndë në Veri të Kosovës.

Ndërsa, pasditen e të mërkurës, raportohet se dy zyrtarë të EULEX-it, njëri nga Estonia dhe tjetri nga Lituania, kanë kaluar barrikadën e vendosur nga serbët në urën mbi lumin Ibër dhe siç raporton Kosovapress ata kanë ngritur 3 gishtërinjë, simbolikë e paramilitarëve serbë. Më pas ata kanë filluar të hedhin gurë në drejtim të serbëve në veri, duke e provokuar situatën, e cila edhe ashtu mbetet e tensionuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA