Pas një mbledhje maratonë prej gjashtë orësh qeveria Papandreu ka shpallur një sërë masash të reja financiare të cilat janë konsideruar si një tsunam i ri për qytetarët grekë.

30000 nënpunës të aparatit shtetëror do të kalojnë në sistemin e nënpunësve rezervë për një vit, për t’u pushuar më pas nga puna, ndërsa deri në fund të vitit 2015, ky numër do të shkojë në 150000 vetë.

Gjithashtu do të  aplikohet menjëhere rroga e unifikuar në aparatin shtetëror, do të reduktohen me 20% pensionet mbi 1200 euro dhe me 40% pensionet mbi 1000 euro të atyre që janë nën moshën 55 vjec. Si nivel ku do të fillojë tatimi i të ardhurave vjetore do të jetë tashmë shuma prej 5000 eurosh në vit për person,  një taksë që përfshin në masë të gjërë emigrantët shqiptarë të cilët deklarojnë të ardhura të ulëta. Do të bëjmë gjithcka në mënyrë që vendi të qendrojë në Eurozonë, ka deklaruar nga parlamenti ministri i Financave.

“Nuk i kemi kuptuar ende rreziqet. Rreziku nuk qendron në faktin se na është reduktuar rroga, na është reduktuar pensioni apo vlera e pronës, rreziku qendron se tregu i pronave do të shpërbehej, do të kemi probleme në sektorë të tjerë të prodhimit, rreziku është se gjithë sistemi do të shkatërrohej”, tha ministri i Financave, Evangjelos Venizellos.

Ministri i Punës dhe i Sigurimeve Shoqërore, Jorgos Kutrumanis ka deklaruar në televizionin privat MEGA se nuk do të reduktohen pensionet e ulta të Institutit Bujqësor të Pensioneve OGA, nga i cili përfitojnë edhe minoritarët shqiptarë.

Sipas zedhenësit të qeverisë, negociatat me specialistët e FMN, BE dhe BQE do të përfundojnë javën e ardhshme dhe Greqia i ka të gjitha mundësitë për të marrë këstin e rradhës.

Si një rrëfim deshtimi të reformave të qeverisë Papandreu i ka quajtur masate reja opinioni publik, ndërsa vazhdojnë në shkallë të gjërë grevat në sektore të ndryshme të ekonomisë.

Top Channel