Kush e di sa vajza ka gënjyer Dren Abazi, solisti i “Zig Zag Orchestra” me këngën “Ti dhe Unë”.
Ai me siguri është një nga sensacionet më të reja edhe për publikun shqiptar pas pjesëmarrjes së fundit në “Top Fest” me në krah një emër si Anjeza Shahini.
Por, le t’i marrim gjërat me radhë! Në adresë të emisionit “Pasdite në Top Channel” kanë ardhur një lumë pyetjesh për këtë djalë apo kërkesash që ne ta ftonim në studio. Mirëpo, si mund të ndodhë kjo pa e ditur paraprakisht se kush është dhe çfarë bën me jetën e tij në Prishtinë Dren Abazi.
U nisëm drejt Kosovës në një pasdite të ngrohtë fundjave. Nuk është e vështirë të biesh në gjurmët e liderit të orkestrës që bën zig-zag. E gjejmë teksa merret me hobin e tij të preferuar, tenisin. Sigurisht që lajm nuk është as sporti i tij i dashur dhe as fakti që si lojtar Dreni është më i dobët se një pensionist me arteriosklerozë. Kundërshtarja e tij ama na ngjalli shumë kuriozitet. Së pari, ajo nuk është instruktorja e tij e tenisit. Së dyti, dikush që do një ndeshje me shpirt gare merr një shok. Alternativa ngelen që ose Dreni e ka të dashur ose ka ndërmend një gjë të tillë.
Teksa pyesnim veten na ndërpret ky i fundit që niset së bashku me vajzën. Teksa dilnin, sjelljet e tyre ishin të afërta, por nuk mundëm të shihnim ndonjë puthje apo diçka vulosëse.
Vihemi në ndjekje. Programi i këngëtarit që e ka shumë të lehtë të bjerë në sy për shkak edhe të gjatësisë, në këtë fundjavë qenka shumë i ngarkuar.
Menjehere pasi mbaron me brunen simpatike me një diferencë gjatësie kishte lënë takim tjetër. Vajza me të cilën e kapim është po brune, më simpatike dhe më e gjatë. Si një xhentëllmen i vërtetë, në fillim e shoqëron për pak shoping në një prej qendrave tregtare në qendër të Prishtinës. Me siguri duhet të jetë një jetë e vështirë ajo që Dreni bën në Kosovë, me gjithë këto ecejake pas bukurosheve. Deri tani kemi kuptuar të paktën që djaloshi biond preferon brunet elegante.
Ta ndjekësh këngëtarin nëpër Prishtinë nuk është fare e vështirë. Sidomos kur i drejtohet lokaleve jo shumë të populluara. Pas shopingut, një pije me vajzën është ajo që duhet. Abazi na bën shumë të dyshojmë mirëpo mesa duket ia ka marrë dorën famës shumë shpejt dhe nuk ekspozohet në xheste të keqkuptueshme në publik, por kur është në makinë ama ndonjë fjalë te veshi edhe i shpëton.
Ka ardhur mbrëmja, por zbulojmë që Dreni akoma nuk e ka vendosur me kë do e kalojë natën. Me asnjë nga vajzat nuk është sjellë si i dashuruar. Me të gjitha ka dalë dhe diku rreth orës 11 zbulojmë arsyen e vërtetë pse orkestra e tij e ka emrin “Zig Zag”.
Ja tek e kapim me një tjetër brune e cila e paska ndarë mendjen që të mos ta lëshojë dhe e ka marrë tek makina e saj. I drejtohen një tjetër vendi në të cilin e patëm disi të vështirë të futeshim. Kameramani ynë u detyrua të dehej që mos të binte në sy e megjithatë duket se të paktën tani kemi disa xheste më të qarta të Prishtinaliut.
Zig Zag-et e tij nëpër qytet janë të kuptueshme po të kemi parasysh që edhe Trekëndëshi i Bermudës duket më pak i rrezikshëm se këto tre brune mes të cilave ai ka ndarë fundjavën. Mesnata ka kaluar dhe Dreni na zhduket nga sytë.
Nisemi të kërkojmë makinën e vajzës që e kishte marrë peng, por është e pamundur. Ku të kenë humbur valle? Apo si në rastin e Bermudave humbi një herë e mirë. Sidoqoftë, ky djalë nuk do vonojë shumë për të pasur mbi shpinë etiketimin e Don Zhuanit me kitarë.
Nuk e ka fajin Jorgjica jo…
Top Channel