Policia e Kosovës ka arrestuar 13 serbë për hyrje ilegale në Kosovë dhe transportimin e lëndës së parë për kombinatin Trepça.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, bën të ditur Telegraf. Mësohet se fjala është për 13 shoferë të sipërmarrjes serbe Eurokop nga Rashka, të cilët eksportojnë koncentrat të minierës Trepça për në Zvicër.
Pasditen e së mërkurës në afërsi të fshatit Lupç, në rrugën Besianë-Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje ndërmori një aksion kundër mauneve me mallra të Serbisë.
Aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes shkarkuan mallin, i cili ishte prodhim i Beogradit dhe më pas e rrotulluan maunen, për ta bërë të palëvizshme.
Vetëvendosje e konsideron të gabuar dhe të dëmshme tregtinë e lirë me Serbinë.
“Nuk mund të ketë marrëdhënie tregtare pa patur marrëdhënie politike. E nuk mund të ketë marrëdhënie politike para se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që nënkupton së pari një kërkesë falje, së dyti kompensim të dëmeve të luftës, së treti kthimin e të humburve”, deklaron Vetëvendosje.
Kjo lëvizje ka nisur prej kohësh aksionin “Duaje tënden! Blej Shqip!”, një nismë kundër produkteve serbe që hyjnë në Kosovë dhe që promovon mallrat vendase.
Top Channel