Lëvizja Vetëvendosje reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj
kërkesës së Qeverisë lidhur me sqarimin e çështjes së imunitetit të
deputetëve.

Lëvizja konsideron se përgjigjet që i jep Gjykata me këtë rast paraqesin shqetësim për çdo qytetar të Kosovës, e po ashtu edhe për subjektet politike dhe të zgjedhurit e popullit.

“Kjo do të thotë se sapo një deputeti të caktuar t’i hiqet imuniteti nga Kuvendi, te dyert e Kuvendit mund të presë policia e cila pastaj ndërhyn dhunshëm brenda hapësirave të institucionit më të lartë legjislativ për arrestimin e deputetit. Ky vendim është në kundërshtim me praktikat e vendeve demokratike. Policia e ka vendin jashtë Kuvendit”, thuhet në reagim, bën të ditur Kosovapress.

Vetëvendosje thotë një vendim edhe më jodemokratik, i cili cenon rëndë statusin e deputetit si i mandatuar i popullit, është marrë nga Gjykata Kushtetuese. “E ky është vendimi sipas të cilit deputeti mund të arrestohet edhe pa vendimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij”, thonë përfaqësues të Lëvizjes.

Sipas Vetëvendosjes, po qe se nuk riformulohen dhe qartësohen më tutje, vendimet e Gjykatës i hapin rrugë një shteti policor, i cili paraqet kërcënim për demokracinë dhe të drejtat civile e politike të të zgjedhurve të popullit.

Limaj, i hapet rruga arrestimit

Me kërkesë të qeverisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën nëse deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që: Në përputhje me  nenin 75(1), nenin 89 dhe nenin 98 të Kushtetutës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, presidenti i Republikës dhe anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse.

Ndërsa nuk e gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.

Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë, sqaron gjykata.

Sipas këtij vendimi, deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që nuk është duke kryer detyrat, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij, edhe pa vendim të Kuvendit.

Ky vendim duket se i hap rrugën Prokurorisë së EULEX-it për të arrestuar deputetin e PDK-së Fatmir Limaj, sepse, ndaj tij ka lëshuar një fletëarrest për krime lufte pak kohë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA