Mijëra shqiptarë protestuan sot në rrugët e Preshevës, duke i bërë
thirrje qeverisë së Beogradit që të ndalë diskriminimin ndaj tyre.
Protestuesit kanë marshuar në rrugët e qytezës dhe më pas janë mbledhur në një vend të caktuar, ku janë bashkuar me shqiptarët e Medvegjës dhe Bujanocit.
Në manifestim mernin pjesë edhe politikanë, kryetarët e tre komunave shqiptare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ata i kërkuan qeverisë serbe që të ndalë diskriminimin, të rrisë investimet, si dhe të gjejë zgjidhje për problemet e përditshme të banorëve të tre komunave.
“Mesazhi i protestës ishte ndalja e diskriminimit. Shqiptarët në këtë rajon diskriminohen në arsim, kulturë, lëvizjen e lirë dhe në zhvillimin ekonomik”, deklaroi kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Ndërsa deputeti shqiptar në Parlamentin serb, Riza Halimi u shpreh se, pakënaqësia e shqiptarëve është akumuluar ndër vite dhe se tani është koha për zgjidhjen e problemeve që kanë tre komunat.
Bujanoc, protesta për tekstet
Mijëra nxënës dhe qytetarë të Luginës së Preshevës kanë protestuar në qytetin e Bujanocit lidhur me librat shkollore dhe me sistemin e arsimit në këtë zonë.
Ata kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë lejimin e teksteve mësimore nga Kosova dhe Shqipëria duke theksuar faktin se nxënësit në këto zona shqiptare në Serbi nuk mësojnë nga librat prej më shumë se dy dekadash.
Protesta është mbështetur nga gati të gjithë liderët politik të shqiptarëve në këtë zonë, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga Shqipëria lidhur me zgjidhjen e këtij problemi.
Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka deklaruar se këto protesta nuk kanë asnjë prapavijë politike, por kanë të bëjnë me të drejtën elementare për shkollim në gjuhën amtare.
Shqiptarët në Preshevë dhe Bujanoc do të marrin këtë vit, të paktën sipas ministrisë serbe, librat deri në klasën e katër të mësimit fillor, por prej vitesh mësohet vetëm nëpërmjet mënyrave alternative.
Ndërkaq Serbia nuk pranon as diplomat e studentëve që e kanë mbaruar universitetin në Prishtinë apo vendet tjera. Protestuesit kanë lexuar edhe deklaratën e Kuvendit tëShqiptarëve për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë dhe kërkesave të tjera.
Top Channel