Rasti i Top Channel dhe rreziku për largimin e tij nga ambjentet e piramidës u përmend në një seminar që grupi liberal demokrat organizoi në Parlamentin Europian për lirinë e medias.
Me titull “Të heshtësh shtypin”, seminari fokusohej në vështirësitë me të cilat përballet gazetaria kritike në Maqedoni, por pjesëmarrësit sollën shembuj të incidenteve edhe në vende të tjera brenda dhe jashtë BE-së, si në Hungari, Turqi e Shqipëri.
Ross Biggam, drejtor i përgjithshëm i Shoqërisë së Televizioneve Komerciale në Europë, foli për mënyrat se si qeveritë e këtyre vendeve sulmojnë organet mediatike.
“Ka tre mënyra sesi qeveritë mund të abuzojnë me pushtetin e tyre mbi mediat. Mënyra më e vjetër është që të frikësojë ose të sulmojë gazetarët. Kjo është padyshim shumë e rëndë, por të paktën, ne e dimë se si rregullohet kjo, nëpërmjet kodit penal dhe reformes në polici dhe gjyqësor. Mënyra e dytë është përmes rregullave mediatike, Parlamenti Europian mbajti një qendrim të fortë për ligjin hungarez në fillim të këtij viti dhe këtu, përsëri, ka një sistem sipas të cilit i takon Komisionit Europian që të negociojë ndryshimet në ligj. Ajo që po vërejmë në vende të tjera jashtë Bashkimit Europian është pikërisht shembulli i një rruge të tretë, ku qeveritë përdorin mjete të tjera ligjore për të frikësuar median e pavarur”, deklaroi Biggam.
Më pas, ai paraqiti shembujt më shqetësues të sulmeve ndaj mediave, ku spikatën ai ndaj televizionit A1 në Maqedoni dhe ndaj Top Channel në Shqipëri.
“Cështja këtu nuk shtrohet nëse televizioni A1 në Maqedoni ka paguar ose jo taksat. Edhe nëse jo, kjo nuk e bën atë “tradhtar”. Nëse vështroni më gjerë do shihnit rastin e ngjashëm në Turqi 2/3 vjet më parë, ku qeveria edhe këtu po hetonte cështjen e taksave vetëm për një grup të posacëm mediatik, ku gjithësesi mbetet e paqartë se sa i njëjti vendim për mbylljen e televizionit u ndikua nga linja editoriale e sa nga cështja e taksave”, vijoi Biggam.
“Një tjetër rast të tillë ne e shohim dhe në Shqipëri. Madje, ajo cfarë është më shqetësuese është se qeveria nuk përdor vetëm taksat, por dhe mënyra të tjera ligjore, ligje të planifikimit urban, pra, ku qeveria merr të drejtën për të dëbuar televizionin më të rëndësishëm të tregut shqiptar nga studiot e tij. A është kjo një rastësi që transmetuesi në fjalë është i njohur të jetë i pavarur nga qeveria?”, nënvizoi Biggam.
“Cështja këtu është se ne dimë si të sillemi për një gazetar të frikësuar fizikisht. Dimë si të reagojmë nëse rregullat mediatike nuk përputhen me standartet europiane. Por, ndaj tendencës së qeverive gjithnjë e më të sofistikuara dhe kërcënuese ndaj medias së pavarur, ndërsa pretendojnë jashtë vendit se kjo është një “cështje e planifikimit” apo “tatimore”, ne duhet të punojmë, pasi deri tani BE-së i mungojnë mjetet sesi të merret me këtë kategorinë e tretë e më të vështirën”, shtoi ai.
Ndërkohë që në seminar ishin ftuar gazetarë kritikë ndaj qeverisë maqedonase, në sallë kishin hyrë edhe disa gazetarë pro-qeveritarë, të cilët shkaktuan me qëllim një incident për prishjen e këtij debati.
Tre gazetarë maqedonas bërtitën “tradhtarë” në sallë për kolegët e tyre që ishin ftuar të flisnin në seminar, si dhe u thanë eurodeputetëve liberaldemokratë “talebanë”.
Incidenti në fjalë me sulmin ndaj kolegëve dhe ndaj eurodeputetëve si talebanë ilustroi më së miri për të pranishmit nivelin e kapjes së medias nga pushteti në Maqedoni dhe situatën reale të lirisë së medias në këtë vend.
Liberaldemokratët diskutuan gjerësisht dhe në mbledhjen e grupit parlamentar mbi këtë ngjarje, si dhe informuan Komisionin Europian.
Reagimi vjen një ditë pasi policia bashkiake doli në krah të personave që kanë abuzuar mbi një sipërfaqe që i përket Top Channel tek ish-ambientet e Kinostudios Shqipëria e Re, për të cilën televizioni ka kontratë të rregullt me Ministrinë e Ekonomisë dhe leje të rregullt për rrethimin e saj nga KRT-ja e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, sot Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të shpallur gati një vit më parë nga gjyqtari Agim Bendo, i cili penalizoi TCH me gjobën 400 mijë euro pas transmetimit të videos së skandalit seksual të ministrit të asaj kohe të Kulturës, Ylli Pango.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel