Ushtarë gjermanë dhe francezë të KFOR-it kanë hequr në tërësi telat me
gjemba që bllokonin drejtimin për në Serbi dhe pjesërisht në Kosovë.

Sipas mediave kosovare, telat me gjemba ndodheshin në pikën kufitare 31 në Bërnjak, ku megjithatë ka mbetur zhavorri dhe betoni i hedhur nga banorët serbë.

Në këtë pikë kalimi, përvec ushtarëve të KFOR-it ndodhen edhe agjentë dhe doganierë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Mësohet se kjo pikë kufitare do të qëndrojë e hapur deri në orën 24, për transportimin e mallrave pa akcizë dhe ato në sasi të kufizuara.

Ndërkohë, “REL” bën të ditur se autoritetet serbe kanë kthyer mbrapsht kamionët me mallra që nga Kosova kishin hyrë në Serbi.

Ministrja Mimoza Kusari Lila, e cituar nga “REL”, ka deklaruar se ende nuk dihen motivet e kthimit të kamionëve kosovarë, ndërkohë që ata serbë kanë hyrë që prej ditës së djeshme në Kosovë.

EULEX prangos dy serbë

Mediat serbe raportojnë se nga një aksion i misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kanë përfunduar në pranga dy qytetarë serbë në veri të vendit.

Të njëjtat burime përcaktojnë se një nga personat e arrestuar është i mitur. Ata akuzohen, sipas medias serbe, se kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e së hënës ndaj shtëpisë së një pjesëtari të forcave të policisë në fshatin Leshak.

Lajmi nuk ka konfirmim nga ana e EULEX. Ndërkohë, i ashtuquajturi shtab i krizës në veri akuzoi KFOR-in dhe EULEX-in se po mashtrojnë opinionin publik lidhur me situatën në veri duke fajësuar serbët për të.

Vulat, Prishtina njofton SHBA dhe BE

Qeveria e Kosovës ka njoftuar Uashingtonin dhe Brukselin për bllokimin e mallrave kosovare nga Serbia, e cila në këtë mënyrë po shkel marrëveshjen e arritur më 2 shtator në Bruksel.

As gjatë 24 orëve të fundit mallrat e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë, ndërsa në pikën kufitare në Merdare mbi 20 kamionë nga Serbia, kryesisht me materiale ndërtimi, kanë hyrë në Kosovë.

Ndërmjetësit të bisedime Robert Cooper, zyrtarisht i është dërguar një letër nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, për moszbatimin e marrveshjes nga ana e Serbisë.

Lila nuk ka përjashtuar mundësinë që gjatë këtyre ditëve të fillojë sërish aplikimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ndërsa kryenegociatori serb Borisllav Stefanovic, si motiv për mosnjohen e vulave doganore ka parashtruar disa cështje, të cilat sipas tij pala serbe nuk do t’i pranojë kurrë.

“Një herë kërkuan të vendosin doganierët, pasatj flamurin, pastaj personat e armatosur, pastaj të ashtuquajtuarat ligje të Kosovës. Ndërkohë, njerëzit që jetojnë aty do të ndihen të rrethuar nga i ashtuquajtuari shtet i Kosovës. Këtë ne nuk mund ta pranojmë”, tha Stefanovic.

Fyle-Citaku, bisedime për doganat dhe vulat

Zhvillimet e fundit për zbatimin e marrëveshjes së vulave doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u diskutuan në takimin që komisioneri europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, zhvilloi gjatë pasdites me ministren e Kosovës për Integrimin Europian, Vlora Çitaku.

Sipas njoftimit për shtyp të Komisionit, ministrja Çitaku informoi komisionerin dhe për heqjen e embargos ndaj mallrave të Serbisë, si dhe mbi angazhimin e saj personal për axhendën europiane të vendit.

Përsa i takon nisjes së dialogut për liberalizimin e vizave, Komisioni Europian pret vlerësimet e misionit të ekspertëve që vizituan javën e kaluar Kosovën, të cilët verifikuan procesin e integrimit të personave të riatdhesuar.

Serbia vazhdon embargon

Teksa Kosova e hoqi bllokadën ndaj produkteve serbe,  Beogradi vazhdon të pengojë bizneset kosovare në kufi.

Zyrtarë doganorë në pikën kufitare me Serbinë në Merdarë bënë të ditur për “Kosovapress” se përgjatë dy ditëve në drejtim të Kosovës kanë hyrë 27 kamionë me prodhime serbe, ndërsa nuk është eksportuar asnjë produkt kosovar, për arsye se Dogana e Serbisë nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Drejtuesi i Njësisë në Doganën e Merdarës, Sherif Havolli, tha se kamionët nga Kosova janë kthyer mbrapsht me arsyetimin se nuk kanë ende një shkresë zyrtare nga Dogana Qendrore e Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për vulat, e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, më 2 shtator në Bruksel.

Por sipas shtypit të ditës në Prishtinë, ministrja e tregtisë Mimoza Kusari Lila ka thënë se nëse Serbia vazhdon embargon, atëherë bllokada për mallrat serbe do të rivendoset ditën e hënë.

Serbia propozim Brukselit për doganat

Ndërsa pikat doganore 1 në Jarinë dhe 31 në Bërnjak tashmë ndodhen nën kontrollin e KFOR, EULEX dhe Policisë së Kosovës, Beogradi shpalos planin e tij të ri të veprimit për të kundërshtuar këtë hap të Prishtinës.

Serbia ka dorëzuar në Bruksel një kërkesë ku kërkon futjen në diskutime me palën kosovare të pikave doganore 1 dhe 31. Kryenegociatori i palës serbe, Borko Stefanoviç, tha se propozimi ofron një zgjidhje të “arsyeshme” dhe të pranueshme që lë të kënaqura të dyja palët.

Stefanovic tha se tashmë pritet një përgjigje nga Brukseli para datës 28 shtator, kur mbahet edhe raundi i radhës i bisedimeve, për propozimin serb.

Propozimi serb është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, deklaroi se cështja e doganave nuk do të jetë në axhendën e bisedimeve me Serbinë, pasi kjo cështje është cështje e brendshme e Republikës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA