Për Bashkimin Evropian është i papranueshëm vendimi i autoriteteve të
Serbisë që veriun e Kosovës ta fusin në sistemin e vet tatimor duke
aplikuar tatimin në vlerën e shtuar.

Sipas Brukselit, një veprim i tillë lë përshtypjen se autoritetet në Beograd nuk janë plotësisht të sinqerta sa i përket negociatave me Prishtinën, bën të ditur Telegraf.

Mediat e Beogradit raportojnë se vendimi ka shkaktuar reagime negative, ndërkohë që cdo përpjekje serbe që në mënyrë direkte apo indirekte të vendosë kontrollin e vet në veri të Kosovës, con drejt idesë së ndarjes së Kosovës, gje që për Brukselin është absolutisht e papranueshme.

Bogdanovic: Prishtina, luftë psikologjike

Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanovic ka akuzuar Prishtinën për “luftë psikologjike” me deklaratat për heqjen e barrikadave serbe në veri.

Në një prononcim për mediat serbe, Bogdanovic ka theksuar se serbët janë të vendosur për të mbrojtur në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre.

“Ne kemi parime dhe qëndrime të qarta. Derisa në pikat kufitare do të ketë doganierë kosovarë, ne në mënyrë të qetë do t’iu rezistojmë të gjitha synimeve të Prishtinës dhe komunitetit kombëtar, që mbështet zgjidhjen e problemeve me anë të dhunës”, ka deklaruar Bogdanovic.

Ministri është shprehur se qeveria e Serbisë dhe serbët duan t’i zgjidhin problemet në mënyrë paqësore, por zgjidhja nuk mund të arrihet me imponime. 

Prishtina njofton SHBA dhe BE

Qeveria e Kosovës ka njoftuar Uashingtonin dhe Brukselin për bllokimin e mallrave kosovare nga Serbia, e cila në këtë mënyrë po shkel marrëveshjen e arritur më 2 shtator në Bruksel.

As gjatë 24 orëve të fundit mallrat e Kosovës nuk janë lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë, ndërsa në pikën kufitare në Merdare mbi 20 kamionë nga Serbia, kryesisht me materiale ndërtimi, kanë hyrë në Kosovë.

Ndërmjetësit të bisedime Robert Cooper, zyrtarisht i është dërguar një letër nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, për moszbatimin e marrveshjes nga ana e Serbisë.

Lila nuk ka përjashtuar mundësinë që gjatë këtyre ditëve të fillojë sërish aplikimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ndërsa kryenegociatori serb Borisllav Stefanovic, si motiv për mosnjohen e vulave doganore ka parashtruar disa cështje, të cilat sipas tij pala serbe nuk do t’i pranojë kurrë.

“Një herë kërkuan të vendosin doganierët, pasatj flamurin, pastaj personat e armatosur, pastaj të ashtuquajtuarat ligje të Kosovës. Ndërkohë, njerëzit që jetojnë aty do të ndihen të rrethuar nga i ashtuquajtuari shtet i Kosovës. Këtë ne nuk mund ta pranojmë”, tha Stefanovic.

Serbia vazhdon embargon

Teksa Kosova e hoqi bllokadën ndaj produkteve serbe,  Beogradi vazhdon të pengojë bizneset kosovare në kufi.

Zyrtarë doganorë në pikën kufitare me Serbinë në Merdarë bënë të ditur për “Kosovapress” se përgjatë  ditëve në drejtim të Kosovës kanë hyrë 27 kamionë me prodhime serbe, ndërsa nuk është eksportuar asnjë produkt kosovar, për arsye se Dogana e Serbisë nuk e ka lejuar një gjë të tillë.

Drejtuesi i Njësisë në Doganën e Merdarës, Sherif Havolli, tha se kamionët nga Kosova janë kthyer mbrapsht me arsyetimin se nuk kanë ende një shkresë zyrtare nga Dogana Qendrore e Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për vulat, e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, më 2 shtator në Bruksel.

Por sipas shtypit të ditës në Prishtinë, ministrja e tregtisë Mimoza Kusari Lila ka thënë se nëse Serbia vazhdon embargon, atëherë bllokada për mallrat serbe do të rivendoset ditën e hënë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA