Jemen, raketa ndaj kampit të protestuesve

20/09/2011 00:00

Forcat qeveritare në Jemen kanë vazhduar duke qëlluar raketa ndaj një kampi protestuesish në kryeqytetin Sana.

Lajmin e bëjnë të ditur dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes, të cilët citohen nga mediat ndërkombëtare.

Shpërthimet kanë tronditur Sanën gjatë gjithë natës, dhe të paktën gjashtë persona të tjerë janë vrarë në ditën e tretë të protestave.

Forcat qeveritare nisën një ofensivë të përgjakshme ndaj protestuesve ditën e diel dhe deri më sot mësohet se kanë shkaktuar 50 viktima.

Protestuesit kanë zaptuar disa zona të kryeqytetit që nga fillimi i vitit, ku përmes protestave kanë kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Zoti Saleh, i cili qeveris vendin prej më shumë se tre dekadash, ndodhet në Arabinë Saudite që prej qershorit, kur mbeti i plagosur rëndë nga një sulm me raketë ndaj selisë presidenciale.

Aktet e fundit të dhunës kanë qenë më të këqijat që vendi ka parë në muaj. Dëshmitarët thonë se snajperat e qeverisë kanë qëlluar protestuesit nga catitë e ndërtesave në Sana.

Megjithatë, ministrat kanë mohuar vazhdimisht lajmet se ushtarët e tyre kanë qëlluar civilë apo demonstrues paqësorë, duke thënë se manifestimet janë nxitur nga Al Kaeda.

Jemen, plumba mbi protestuesit

Burimet spitalore në Jemen bëjnë të ditur se janë të paktën 21 viktimat e forcave të sigurisë në Jemen që vazhdojnë shtypjen e dhunshme të protestave të nisura të dielën.

Në kryeqytetin Sana’a, mbi demonstruesit është qëlluar me snajperë nga catitë e ndërtesave mbi demonstruesit, duke goditur edhe kalimtarë të rastit, përfshirë një fëmijë. Në pjesë të tjera të qytetit, forcat qeveritare janë përleshur me mbështetësit e opozitës, ndërsa disa zona të mbajtura nga ushtarët besnikë të kundërshtarëve të regjimit, ka patur bombardime.

Opozita vendase premton të vazhdojë përpjekjet e saj për rrëzimin e presidentit Ali Abdullah Saleh. Prej muajsh të tërë tashmë, mijëra njerëz janë bërë pjesë e fushatës kundër Salehut, në pushtet që prej 1978-s e që aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po rimerr veten pas plagosjes nga një sulm me bombë në muajin qershor.

Përkrahësit e opozitës besojnë se qeveria e ka orkestruar qëllimisht dhunën në vend për të zbehur cdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.

26 protestues u vranë të dielën dhe mbi 550 të tjerë u plagosën, kur forcat e sigurisë qëlluan me plumba të vërtetë mbi njerëzit e mbledhur për një demonstratë masive në kryeqytet. Bilanci i vdekjeve mund të rritet akoma më shumë sepse një pjesë e të lënduarve, janë në gjendje kritike.

Ndërsa dhuna në vend ka njohur kështu një tjetër përshkallëzim dhe vetë Sana’a përjetoi një prej shtypjeve më të përgjakshme të protestave prej disa muajsh tashmë, në Jemen mbërritën të derguar nga Kombet e Bashkuara dhe Këshilli për Bashkëpunim në Gjirin Persik, të cilët do të përpiqen të negociojnë dorëheqjen e presidentit Saleh.

Jemen, Saleh do të kthehet në atdhe

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, do të kthehet në atdhe pasi ka qëndruar për një periudhë kohe në Arabinë Saudite si pasojë e plagosjes në një atentat.

Para disa ditësh, Saleh la spitalin ushtarak saudit ku ishte i shtruar.

Presidenti ishte plagosur gjatë një sulmi kundër pallatit të tij presidencial në Sanaa, më 3 korrik.

Jemen, fëmijë ushtarë në luftime

Fëmijë të shumtë detyrohen prej muajsh të rrokin armët, të qëllojnë dhe të vrasin, si nga ushtarët qeveritarë ashtu edhe nga rebelët në Jemen.

Në këtë vend vazhdojnë përleshjet e përgjakshme mes mbështetësve të presidentit Saleh dhe opozitarëve të fraksioneve të ndryshme.

Lajmin e bën të ditur ueb sajti Middle East Online, sipas të cilit shumë prindër, për shkak të varfërisë, falsifikojnë kartat e identitetit të fëmijëve në mënyrë që t’i fusin në ushtri dhe të garantojnë të ardhura modeste për familjen.

Ndërkohë, presidenti Ali Abdullah Saleh vazhdon të qëndrojë në Arabinë Saudite, ku po mjekohet pas plagëve të rënda të marra nga sulmi ndaj pallatit presidencial muajin e kaluar.

Ai ka thënë disa herë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe i quan grupe kriminale dhe terroriste masat protestuese.

Top Channel