Gjykata Ushatarake e Pireut ka filluar të martën procesin gjyqësor për britmat raciste të një toge të marinës ushtarake në paradën e festës kombëtare teë25 Marsit të vitit të kaluar.
39 ushtarë grekë pas një padie penale nga Komiteti i Helsinkit në Greqi do të përgjigjen për shkeljen e nenit 2 të Ligjit Anti-racizëm. Por të afërm të tyre dhe disa anëtarë të Partisë Ultranacionaliste që kanë shkuar para gjykatës në shenjë solidarizimi me ta, kanë kënduar përsëri ato vargje për të cilat akuzoheshin marinsat greke.
Më pas kanë kënduar himnin grek dhe kanë përshendetur me duartrokitje. Komiteti i Helsinkit e konsideron tepër të rëndësishme akuzën e shkeljes së nenit 2 të Ligjit 927/79 për slogane anti-raciste në festat publike që fyejnë grupe etnike në këtë rast ato shqiptare,turke dhe maqedonase.
Athina zyrtare ka reaguar ashpër pas videos në fjalë të publikuar ditën e nesërme të festës pothuajse në të gjitha mediat greke dhe Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes së Qytetarit, Mihalis Hrisohoidhis kishte urdhëruar fillimin e një hetimi për këtë akt që ndjell urrejtje, duke pezulluar edhe përkohësisht nga detyra komandantin e togës së zhytësve të marinës luftarake.
Ndërkohë, në faqen e parë të numrit të së martës, gazeta nacionaliste “Demokracia” u ka bërë thirrje grekëve “patriotë” që të mbështesin marinsat dhe të anulohet gjyqi ndaj tyre.
Ende nuk janë publikuar hollësitë e seancës së parë gjyqësore, ndërsa seancë e dytë do të zhvillohet në datën 16 dhjetor.
Top Channel