SHBA mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të
Kosovës, si dhe shtrirjen e autoritetit të institucioneve kosovare në
gjithë territorin.

Ka qenë ky mesazhi që u ka përcjellë autoriteteve kosovare sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Në takimin e zhvilluar në Nju Jork me presidenten Jahjaga, kryeministrin Thaci dhe zëvendëskryeministrin Pacolli, Clinton vlerësoi se bashkëpunimi i Prishtinës me EULEX dhe KFOR është i një rëndësie të vecantë.

Shefja e diplomacisë amerikane inkurajoi autoritetet kosovare për vazhdimin e këtij bashkëpunimi, si dhe theksoi mbështetjen e SHBA ndaj orientimit evropian të Kosovës.

“Administrata amerikane do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë të Kosovës, në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, nënvizoi Clinton.

Sekretarja e Shtetit tha ndër të tjera se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces.

Gjithashtu, ajo inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje presidentes Jahjaga në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nga ana e saj, Jahjaga garantoi zonjën Clinton se operacioni në tre komunat veriore është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

“Ai ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Jahjaga.

Presidentja tha se institucionet kosovare janë të përkushtuara që të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Sa për veriun, ajo tha se opsioni “Ahtisaari Plus” që parashikon një status të vecantë nuk është zgjidhje, sepse do të rrënonte arritjet në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të conte drejt ndarjes.

Delegacioni kosovar takon Ban Ki Mun; mbështetje procesit në veri

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, gjatë një takimi në Nju Jork me delegacionin kosovar shprehu mbështetjen e tij per procesin e vendosjes se rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe kerkoi vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Delegacioni shtetëror i Kosovës, në përbërje të të cilit eshte; presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, u takuan të dielën në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vend, pas vendosjes së policëve dhe doganierëve në dy pikat kufitare në veri.

Delegacioni kërkoi nga Ban Ki-Mun përkrahjen ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri, si dhe kërkuan që të bëjë presion ndaj Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.

Ban Ki Mun i dha mbështetje procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën dhe njëherësh kërkoi nga ata te ruajnë rendin dhe qetësinë, të jenë konstruktiv dhe të vazhdojnë dialogun me Beogradin për çështje praktike, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Delegacioni shtetëror i Kosovës udhetoi dje për në SHBA, ku do të zhvillojne një varg takimesh bilaterale me liderët e vendeve të ndryshme, gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ve.

Presidentja Jahjaga, sipas RTK-së, u shpreh se aksioni i përbashkët i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore me Serbinë, dëshmon partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.

Jahjaga tha se statusi special për veriun e Kosovës do të rrënonte këto arritje dhe nuk do të garantonte integrimin por do të çonte drejt ndarjes. Ajo tha se Kosova do që të vendos rendin dhe ligjin dhe normalitetin si dhe t’i jap fund mosndëshkimit me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shtrirjes së kushtetutshmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim, që jetojnë në veri.

Ndërkaq Kryeministri Thaçi, gjatë takimit e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Mon për së afërmi me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Kryeministri Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me faktorët relevant ndërkombëtar, dy muajt e fundit ka ndërrmarë disa veprime për të vendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar në takim se Qeveria është e përkushtuar që në Kosovë të luftohet krimi dhe dukuritë tjera negative, të cilat fatkeqësisht që 12 vite janë toleruar në pjesën veriore të vendit, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit. Duke folur për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kryeministri Thaçi ka theksuar se “është jetike që marrëveshjet e arritura të respektohen nga Serbia. Kosova është e përkushtuar ta implementojë pjesën e saj të përgjegjësive që dalin nga marrëveshjet, dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia.” Jahjaga dhe Thaçi kanë theksuar se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e OKB-së dhe se kjo rrugë nuk ka alternativë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA