“Yukos”, Strazburgu dënon Rusinë

20/09/2011 00:00

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg ka dënuar
qeverinë ruse për cështjen e shpërbërjes së kolosit të naftës “Yukos”.

Megjithatë, gjykata nuk ka marrë asnjë vendim mbi cështjen e shpërblimeve të kërkuar nga ish-menaxheri, që bën fjalë për 100 miliardë dollarë.

Gjykata, në të njëjtën kohë, ka dënuar Moskën se ka menaxhuar në mënyrë jo të drejtë falimentimin e kompanisë në vitin 2006 dhe për burgosjen e drejtuesve të grupit, mes të cilëve ish-presidentin Mikhail Khodorkovsky.

Strazburgu mbështet Khodorkovsky-n

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur se Rusia ka shkelur të drejtat e manjatit rus të naftës, Mikhail Khodorkovsky, i njohur si kritik ndaj Kremlinit.

Në vendimin e tyre gjyqtarët e Strazburgut kanë urdhëruar Rusinë që t’i paguajnë të burgosurit 24.500 euro dëmshpërblim.

Vendimi, që nuk është ende përfundimtar, vlerëson se ka pasur shkelje në kushtet e burgimit të Khodorkovsky që prej arrestimit të tij në tetor të vitit 2003.

Dënimi i tij me 8 vjet burg përfundonte këtë vit, por u zgjat në fund të vitit të kaluar nga gjykata e Moskës me pesë vite të tjera. Vendimi i gjykatës së Strazburgut ka të bëjë me dënimin e parë të dhënë ndaj bosit të naftës, në vitin 2005 për evazion fiskal.

Khodorkovsky, gazetar prapa hekurave

Oligarku i burgosur rus, Mikhail Khodorkovsky është bërë gazetar për një të përjavshme ruse.

Në “New Times”, Khodorkovsky, dikur biznesmeni më i pasur i Rusisë, do të shkruajë eksperiencën e tij prapa hekurave.

Që nga arrestimi në vitin 2003 dhe zgjatja e dënimit në fund të vitit të kaluar, Khodorkovsky ka publikuar një seri artikujsh.

Shumica e tyre kanë qenë mbi këndvështrimin e tij politik, me kritika për autoritetet ruse, si dhe për vizionin e tij për të ardhmen e Rusisë.

Por kjo është hera e parë për një revistë dhe artikujt do të jenë shumë ndryshe nga cfarë Khodorkovsky ka shkruar më parë.

Në “New Times” ai do të shkruajë për jetën në qeli, si dhe për njerëzit që ka njohur në ambjentet e burgut.

“Burgu është vendi ku njeriu mund të takojë njerëzit më të jashtëzakonshëm. Unë do të shkruaj për disa persona dhe disa situata”, ka njoftuar Khodorkovsky.

Top Channel