Ulja e taksave për ushqimet

19/09/2011 16:10

Deputeti i Partisë Demokratike Florjon Mima, i sheh propozimet që vijnë
nga e majta për uljen e taksave të artikujve ushqimorë, si lëvizje
populiste për qëllime elektorale. Një nga ekspertët më të mirë të
maxhorancës për politikat fiskale, zoti Mima mbron tezën se ulja e
taksave të konsumit nuk lehtëson të varfërit, por një tjetër shtresë.

“Ato që fitojnë më së shumti nga përshkallëzimi janë shtresat e pasura, pasi janë ato që konsumojnë më shumë produktet ushqimore për të cilat flasim”, tha Mima.

Një tjetër argument që sipas tij kundërshton uljen e taksave, ka të bëjë me atë se si tregu e përcjell lehtësimin e barrës tek konsumatorët.

“Në rast të një uljeje të themi të shkallës statutore të TVSH-së, nuk vërehet një ulje substanciale në të njëjtën masë e cmimeve, pra tregtarët punojnë me marzhet e fitimit të fiksuara tashmë. Kërkohet kohë e gjatë që biznesi shqiptar, njësoj si homologët e tij nëpër botë, të edukohet me marzh fitimi pak më të larte, se sa marzhet që fitojnë bankat në investimet e kursimeve të popullatës”, tha Mima.

Ish-zëvendësministër i Financave dhe një nga drejtuesit e reformës fiskale në mandatin e parë të demokratëve, Mima thotë se përshkallëzimi i TVSH-së do të rriste evazionin fiskal, duke i shkatuar dëme shtetit.

“Nëse qumeshti për fëmijët do të kalonte tek shkalla e ulët, në doganë automatikisht edhe qumështi që përdoret për prodhimin e akulloreve që konsumohen nga të gjithë dhe konsiderohen me shkallen normale do të kalojë shpeshherë si qumësht për fëmijë”, tha Mima.

PS: Qeveria të ulë taksat

Partia Socialiste do kërkojë zyrtarisht në kuvend heqjen e taksave për disa nga produktet më jetike dhe përgjysmimin e tyre mallrat e tjerë ushqimore. Nisma u bë publike nga deputetja Mimi Kodheli.

“Në kushtet e krizës së rëndë ekonomike e të rënies katastrofike të fuqisë blerëse të çdo familjeje që rron me pagën e punës a me ndihmë ekonomike jo me korrupsion, heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe përgjysmimi i TVSH-së mbi produktet e tjera ushqimore bazë, janë e vetmja rrugë sot për lehtësimin e barrës mujore të jetesës së shqiptarëve”, tha Kodheli.

Shqipëria është nje nga vendet me taksat më të larta mbi ushqimet. Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është i fiksuar në nivelin 20 për qind, kur në vendet e BE-së, për ushqimet tvsh-ja shkon nga 0-10 për qind. Opozita thotë se kjo është e papranueshme

“Pesha specifike që zënë sot taksat konsumatore, TVSH dhe Akcize, në cmimin e produkteve ushqimore bazë, është 28%.E kemi premtuar këtë në Paktin Qytetar që në muajin maj, kemi fituar zgjedhjet edhe për këto premtime në të gjithë Shqipërinë që paguan taksa dhe do të luftojmë në parlament që ky çlirim i rëndësishëm i barrës së taksave mbi familjet shqiptare të ndodhi pa pritur që të vijmë në qeveri.Të shohim si do reagojë oborri i pushtetit që vetëm në një ditë grabit nga pasuria kombëtare aq sa duhet për të kompensuar të gjitha këto ulje në arkën e shtetit”, tha Kodheli.

Vitin e kaluar qeveria mblodhi 175 milionë dollarë Tatim mbi Vlerën e Shtuar vetëm nga ushqimet në import, faturë që paguhet e gjitha nga qytetarët në cmimin e produkteve.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA