Kombësia, “jo në census”

19/09/2011 21:10

Konstitucionalisti Adrian Leka sqaron se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i cilësuar antiligjorë disa nene të ligjit mbi gjendjen civile që kanë të bëjnë me nocionin e kombësisë dhe procedurat për ndryshimin e saj, do të sjellë ndryshime për të gjithë ata qytetarë që deri më sot kanë përfituar prej saj.

“Të gjitha ndryshimet në regjistrin e gjendjes civile, sot e më mbrapa, do të konsiderohen si ndryshime antikushtetuese. Ato nuk do të konsiderohen më si të ligjshme e të rregullta. Ato ndryshime kanë ardhur ndesh me ligjin kushtetues”, deklaron Leka.

Por zoti Leka, ekspert konstitucionalist, thotë se ky vendim i Kushtetueses duhet të reflektohet edhe te censusi.

Ai kundërshton deklaratën e drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile, Armand Teliti, se ky vendim nuk do të reflektohet te procedurat e regjistrimit. Leka argumenton se ky regjistrim do të prodhojë shifra fiktive.

“Meqenëse regjistrimi nuk do bëhet në regjistrin kombëtar, ai është një regjistrim fiktiv që bëhet për të kënaqur njërën apo tjetrën palë. Të gjitha proceset për regjistrimin duhet të bëhet në bazë të ligjeve, në të kundërt është dicka fiktive”, nënvizon Leka.

Regjistrimi i popullsisë në bazë të fesë dhe etnisë ka shkaktuar mjaft debate në opinionin publik, pasi pritet që të ketë rritje të numrit të qytetarëve që deklarohen me kombësi tjetër nga ajo që ata kanë në të vërtetë, në mënyrë fiktive.

Rrëzohet ndryshimi i kombësisë

Ditën e premte Gjykata Kushtetuese rrëzoi dispozitat për ndryshimin e kombësisë, në ligjin për Gjendjen Civile.

Gjykata vendosi me 6 vota pro dhe dy kundër për të rrëzuar dispozitën e këtij ligji miratuar në vitin 2009 që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë në ligjin për Gjendjen Civile. Duke e cilësuar ligjin si anti-kushtetues, gjykata ka kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit “kombësi”.

Padia në Kushtetuese u bë nga gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm  me Kushtetutën disa nga nenet e ketij ligji. Ankimuesit deklaroheshin se ligji cenonte parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

Ne baze te ketij ligji gjykatat vecanerisht ne jug te vendit moren me mijera vendime per ndryshimin e kombesise nga shqiptare ne greke. Kjo vale ndryshimesh shkaktoi edhe reagimin e gjyqtareve qe bene ankimimet por edhe te Aleances Kuqezi. Ne nje tur takimesh ne gjykatatat e rretheve ky ligj eshte kundershtuar edhe nga nenkryetari KLD-se, Kreshnik Spahiu.  

Aleanca Kuqezi: Kombësia nuk shitet e ndryshohet

I menjëhershëm ishte reagimi Aleancës Kuqezi duke e cilësuar vendimin si historik.

“Në një vendim historik Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozitat, të cilat lejojnë ndryshimin dhe falsifikimin e kombësisë. Besoj se është një sfidë tjetër e fituar e Aleancës Kuqezi dhe unë sot pyes a ka njeri ende në Shqipëri që nuk e kuptuar se ndryshimi i kombësisë është antikushtetues, a ka ende njeri sot në Shqipëri që nuk e ka kuptuar se procesi i regjistrimit mbi baza etnike është një proces në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e këtij vendi. A ka ende njeri në Shqipëri që nuk e kupton se ky kuvend në të paktën dekadën e fundit ka votuar ligje të cilat jo vetëm që jo janë në kundërshtim me kushtetutën, por janë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Kombësinë nuk mund ta ndryshosh, ta tjetërsosh apo ta shesësh. Vendimi i Gjykatës Kushtetutës ndau integritetin nga servilizimi, ndau njëherë e mirë kuqezinjtë nga faqezinjtë”, tha Endrit Shabani, përfaqësues i Aleancës Kuqezi.

Sipas përfaqësuesve  të  Aleancës Kuqezi qeveria tashmë duhet të tërhiqet nga regjistrimi etnik, duke qenë se Gjykata Kushtetuese delegjitimoi ndryshimet e kombësisë, duke mbrojtur sovranitetin e vendit.

Në emisionin e së enjtes në Top Channel, “Top Story”, drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu u shpreh: “Basti im ka qenë ky; nëse në fund të procesit të Gjykatës Kushtetuese do të rezultojë që ndryshimi i kombësisë dhe manipulimi ka qenë kushtetues unë do të dorëzoj detyrën time”.

Duke folur për ligjin e regjistrimit të popullsisë që Aleanca e ka kundërshtuar fort që në fillim, Spahiu theksoi se: Ne jemi vetëm kundër 2 pyetjeve; shteti nuk mund të vijë të më pyesë se cfarë feje kam dhe cfare etnie”.

Më tej lideri i Aleancës Kuqezi tha se kombësia është shndërruar në një mall tregu me letra nga kisha dhe certifikata falso dhe shtoi se Aleanca që ai udhëheq nuk është kundër regjistrimit, por kundër përfshirjes në të, të dy pyetjeve, atë për besimin fetar dhe për përkatësinë etnike.

Ngjela përshëndet Kushtetuesen

Spartak Ngjela, kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, përshëndeti vendimin e një dite më parë të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kombësisë.

“Nën gjithë këtë peshë të rëndë antikombëtare, të ushtruar nga kryeministri Sali, shqiptarët panë se nëpër institucionet e tyre dhe në më kryesoret paska ende shpirt patriotik. Ky duhet të jete optimizëm sepse sot po shitet gjithçka. Edhe Greqia e konsideron antikushtetues aktin e ndërrimit të shtetësisë. Ta di kryeministri Sali uuzurpatorë se në rast se kërkon të ndihmojë me shitje, me interesa të tij individuale, fqinjët, le t’u japë para se është shteti i dytë më i fuqishëm në botë, sipas tij”, theksoi Ngjela.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA